UÇK kundër Kurtit: Protesta në Tiranë, e kombit jo e partive
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar pas deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar këtë subjekt politik për përpjekje për të politizuar protestën që do të zhvillohet në Tiranë më 17 tetor.
Në njoftimin e saj, OVL e UÇK-së thekson se kjo protestë nuk ka karakter partiak, por përfaqëson zërin e popullit shqiptar, të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që kërkojnë drejtësi për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike, ajo është zëri i popullit shqiptar. Nuk ka forcë politike që mund ta ndalojë apo ta përvetësojë këtë zë,” thuhet në reagim.
Veteranët e UÇK-së theksojnë se nuk do të lejojnë që “lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake”, duke nënvizuar se qëllimi i vetëm është kërkesa për drejtësi dhe ndëshkimin e krimeve të kryera nga Serbia.
“Protesta në Tiranë është një protestë e kombit, jo e partive politike. Aty do të jenë mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet për të dëshmuar se UÇK-ja mbetet nderi dhe krenaria e kombit,” përfundon njoftimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



