Gjenerali i Ushtrisë apo Gjenerali i Krimit?
Bardhyl Kollçaku zgjohet me vendim gjykate
Pak ditë më parë, nga ana ime u depozituan në SPAK plot pesë orë filmime, prova konkrete për çështjen e Limionit, ku i përfshirë rezulton të jetë edhe vetë gjenerali Bardhyl Kollçaku. Dhe ja, sot në mëngjes, gjenerali u zgjua me SPAK-un, BKH-në dhe Policinë e Shtetit, në derën e banesës. Një mëngjes i pazakontë për një njeri që deri dje shfaqej si simbol i disiplinës ushtarake, por që sot duket se ka dalë në paradë me uniformën e dyshimit.
Por çfarë ka bërë gjenerali i famshëm? Sipas dokumenteve dhe provave që kanë dalë në dritë, Kollçaku i ka dërguar një shkresë ministres Olta Xhaçka, duke i propozuar që pronat e Marinës t’u kalojnë oligarkëve privatë. Një “strategji mbrojtjeje kombëtare” që më shumë i ngjan mbrojtjes së interesave të një rrethi të ngushtë, sesa mbrojtjes së vendit.
Në këtë pikë, pyetja shtrohet vetvetiu: a kemi të bëjmë me një gjeneral apo me një gjeneral të krimit? Sepse kur një ushtarak i lartë propozon që pasuritë publike të kalojnë në duar private, nuk është më thjesht korrupsion, por tradhti ndaj uniformës dhe ndaj shtetit që e pagoi për ta mbrojtur.
Ironia është se Kollçaku e ka nisur karrierën për të mbrojtur kufijtë, por përfundoi duke i fshirë ata – mes pronave, oligarkëve dhe marrëveshjeve të errëta. Në fund të fundit, kjo është Shqipëria ku gjeneralët s’kanë më nevojë për armë, mjafton një shkresë për të bërë pushtime.
Nëse drejtësia do të bëjë detyrën, ndoshta do të mësojmë më shumë për këtë “strateg ushtarak” që e ktheu Marinën në pasuri për miqtë dhe në turp për uniformën. Deri atëherë, Gjenerali i Krimit mund të shijojë lavdinë e fundit: një përmendje në listën e të hetuarve nga SPAK.
Gjeneralët zakonisht hyjnë në histori për betejat që kanë fituar dhe për jetën që kanë lënë në fushën e nderit, por Bardhyl Kollçaku do të hyjë në kronikë si gjenerali që luftoi vetëm për një karrige në parlament.Ndërsa të tjerët mbanin armën për të mbrojtur atdheun, Bardhyli mban firmën për t’ia dorëzuar pronat e Marinës oligarkëve, me saktësinë e një “strategu” që di të fitojë pa luftuar mjafton të shesë kombin./ Av Arben Llangozi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



