Gazetari plas ‘bombën’: Po bëhen pazare për kreun e SPAK
Gazetari investigativ Elton Qyno ka ngritur dyshime të forta mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut. Sipas tij, përzgjedhja e drejtuesit të ardhshëm nuk po ndjek parime të konkurrencës së ndershme, por po ndikohet nga pazare të brendshme dhe shkëmbime ofiqesh, me synime që nuk kanë lidhje me interesin publik.
“Që kur erdhi dita që lobimi për drejtues SPAK-u të shkëmbehet me karrige pune, tregon se kemi ecur shumë para… por shumë ama”, shkruan Qyno me ironi në rrjetet sociale.
Ai shprehet se procesi ka degraduar në një lojë interesash të ngushta, ku mungojnë garat e hapura, platformat, konkurrenca reale apo transparenca.
“Nuk ka as garë, as platforma, as konkurrencë, as fushatë kandidatësh, asgjë. Veçse pazare dhe ofrim ofiqe për qëllime okulte personale, jo për interes publik. Publiku aty është thjesht maskë”, vijon më tej gazetari.
Në reagimin e tij, Qyno ironizon edhe thashethemet se “amerikanët preferonin një prokuror të caktuar për drejtues të SPAK, por ai nuk e pranoi ftesën”, duke e cilësuar këtë si një pretendim absurd që “të bën për të qeshur”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



