E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tatimet,gjobat e politika: Olsi Kuca, ‘kamikazi’ që luan me zjarrin
Flash

Tatimet,gjobat e politika: Olsi Kuca, ‘kamikazi’ që luan me zjarrin

Tre vite pas shembjes së “Prestige Resort”, një prej pronave të grupit Hysenbelliu, Drejtoria e Tatimeve ka vendosur një gjobë të pazakontë prej 4 milionë eurosh ndaj kompanisë, një veprim që ngre dyshime të forta për motivim politik dhe keqpërdorim të funksioneve shtetërore.

Pas këtij vendimi absurd fshihen jo vetëm urdhëruesit politikë, por edhe zbatuesit e verbër, që marrin rolin e “kamikazëve” institucionalë për të firmosur shkelje ligjore në kufijtë e shpërdorimit të detyrës.

Një nga këta është Olsi Kuca, inspektor i Tatimeve për bizneset VIP, i cili, ndryshe nga sa kërkon ligji dhe etika e administratës publike, mbajti aktiv një kontroll tatimor ndaj “Prestige Resort” për më shumë se 2 vite, duke e kthyer atë në një proces presioni të vazhdueshëm dhe të qëllimshëm.

Kontroll “post mortum” dhe zgjatje e qëllimshme

Kontrolli nisi një vit pas shembjes fizike të resortit, duke e kthyer penalitetin në një ndëshkim “post mortum”, praktikisht ndaj një godine që nuk ekzistonte më. Jo vetëm që ishte absurd në thelb, por u shndërrua në një instrument hakmarrjeje, që zgjati mbi 700 ditë, shumë përtej çdo afati të arsyeshëm ligjor.

Ky precedent, i paprecedentë në administratën tatimore, tregon se qëllimi nuk ishte as kontrolli, as formaliteti financiar – por presioni, shantazhi dhe përpjekja për të thyer një biznes që nuk iu nënshtrua vullnetit politik.

Një “shpatë e Demokleut” mbi biznesin e lirë

Olsi Kuca, me apo pa vetëdije, pranoi të bëhet “kurbani” i eprorëve të tij, duke vendosur firmën në një proces që do të duhej të ishte shembull për drejtësi administrative, e jo për abuzim me pushtetin publik. Kontrolli nuk ishte gjë tjetër veçse një shpatë e Demokleut mbi kokën e “Hysenbelliu Group”, me synimin për të trembur dhe heshtur një grup të fuqishëm mediatik.

Kur kjo nuk funksionoi, pushteti vendosi ta çonte në fund presionin, duke nxjerrë fizikisht jashtë godinave redaksitë e News24, BalkanWeb dhe Gazetës Panorama – një tjetër goditje për fjalën e lirë dhe pluralizmin mediatik.

Iluzione karriere dhe premtime politike

Ndoshta i joshur nga premtimet e eprorëve, ndoshta me iluzione për karrierë të ndihmuar nga lidhjet me pushtetin, apo me opozitën, për shkak të kunatës së tij Denisa Vata, deputete e PD-së, Olsi Kuca duket se ka bërë një “harakiri” profesional, duke e vendosur veten në qendër të një skandali me pasoja të rënda ligjore.

Por, siç e ka treguar historia, kur drejtësia vjen, askush nuk është i paprekshëm – as nga shefi në qeveri, as nga farefisi në opozitë.

Fundi i historisë: Shërbëtor i shtetit apo kamikaz politik?

Ky rast duhet të shërbejë si kujtesë për çdo nëpunës publik: të jesh zyrtar shteti do të thotë të jesh shërbëtor i ligjit, jo instrument i politikës.

Në fund, përgjegjësia do të vijë për të gjithë, për urdhëruesit dhe zbatuesit. Dhe atëherë, do të jetë shumë vonë për të kuptuar se ligji nuk të kursen, kur ti vetë e ke tradhtuar atë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.