Si u fundosën shqiptarët në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut
Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar si një tjetër moment përçarjeje mes shqiptarëve dhe thellimi i varësisë së tyre nga strukturat e pushtetit maqedonas.
Sipas Spahiut, këto zgjedhje nuk sollën as përfaqësim më të denjë dhe as afrimin e shqiptarëve me pushtetin qendror. Përkundrazi, ai theksoi se shqiptarët janë futur në një garë shkatërruese kundër njëri-tjetrit, ndërsa drejtuesit në Shkup vazhdojnë t’i përdorin vetëm për interesa politike.
“Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë arritur të ndërtojnë një raport me Tiranën siç bëjnë maqedonasit me Beogradin, të cilin e shohin si Mekën e tyre politike. Kjo mungesë reference i ka lënë shqiptarët të izoluar dhe të pambështetur në skenën rajonale”, u shpreh Spahiu.
Ai vuri në dukje edhe problemet strukturore që sipas tij i mbajnë shqiptarët të pazhvilluar: “Ndryshe nga Shqipëria, Serbia apo Mali i Zi, në Maqedoninë e Veriut nuk ka decentralizim të vërtetë. Komunat janë të varfra dhe të braktisura, ndërsa pushteti maqedonas nuk ka bërë përpjekje reale për të integruar shqiptarët në qeverisjen qendrore. U japin vetëm ‘kockat e bajrakut’ dhe i mbajnë larg zhvillimit të vërtetë.”
Spahiu përfundoi se situata aktuale ka krijuar një hendek të madh midis komuniteteve dhe ka lënë shqiptarët nën kontrollin e elitave që nuk kanë interes për ndryshim real.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



