E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
10 ndryshimet mes Revolucionit Flamingo dhe Lëvizjes së Dhjetorit ’90
Lajme

10 ndryshimet mes Revolucionit Flamingo dhe Lëvizjes së Dhjetorit ’90

Juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu ka rikthyer në vëmendje debatin mbi protestat aktuale në vend, duke i krahasuar ato me Lëvizjen historike të Dhjetorit 1990. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ai rendit një sërë dallimesh mes asaj që e quan “Revolucioni Flamingo” dhe lëvizjes studentore që çoi në rrëzimin e sistemit komunist.

Spahiu thekson se është ende herët për të bërë një krahasim të plotë, pasi protesta aktuale ndodhet vetëm në ditën e nëntë dhe nuk ka prodhuar ende rezultate konkrete politike. Megjithatë, ai nënvizon se ndikimi i saj pritet të jetë i pashmangshëm.

Sipas tij, një nga ndryshimet kryesore qëndron te origjina dhe kauza e dy lëvizjeve. Ndërsa protestat e sotme kanë nisur në Zvërnec, të lidhura me kundërshtimin ndaj një projekti investimi, Lëvizja e Dhjetorit lindi në Qytetin Studenti me një thirrje të qartë për orientimin europian të vendit.

Një tjetër dallim, sipas Spahiut, është mënyra e organizimit. Ai vëren se protesta aktuale ende nuk ka krijuar struktura përfaqësimi apo një platformë të qartë politike, ndërsa studentët e vitit 1990 arritën brenda pak ditësh të organizohen, të artikulojnë kërkesat dhe të krijojnë formacione politike.

Në analizën e tij, Spahiu ndalet edhe te konteksti ku zhvillohen protestat. Ai thekson se sot protestat zhvillohen në kushte të hapura, me mbulim të gjerë mediatik dhe përdorim intensiv të rrjeteve sociale, ndërsa në vitin 1990 ato zhvilloheshin në një realitet izolimi, varfërie dhe presioni politik.

Një tjetër element që ai veçon është përbërja e protestuesve. Sipas tij, lëvizja aktuale përfshin grupe dhe interesa të ndryshme, shpesh të kundërta mes tyre, çka e bën më të vështirë konsolidimin e saj. Në të kundërt, Lëvizja e Dhjetorit kishte një fokus të përbashkët dhe një qëllim të qartë politik.

Spahiu ngre gjithashtu pikëpyetje mbi objektivin final të protestës së sotme, duke argumentuar se ende nuk është e qartë nëse ajo synon ndryshime konkrete politike, zgjedhje të parakohshme apo thjesht presion publik ndaj qeverisë.

Në përfundim, ai thekson se suksesi i një lëvizjeje nuk matet me pjesëmarrjen apo prezencën në rrjete sociale, por me rezultatet konkrete që arrin të prodhojë në sistemin politik dhe institucional. Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse protesta aktuale do të arrijë të krijojë alternativa reale dhe të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pushtet.

Shkrimi i plotë

Një debat i ri ka filluar lidhur me dy ngjarje historike: Revolucionin Flamingo dhe Lëvizjen e Dhjetorit ’90.
Ndoshta është herët për t’i krahasuar, sepse Revolucioni Flamingo është vetëm në ditën e 9 dhe ende nuk ka asnjë rezultat politik, por duhet pranuar se, në çdo rast, do të ketë një impakt.
Gjithsesi Lëvizja e Dhjetorit pas 5 ditësh rrëzoi gjithë sistemin.
Por cilat janë dallimet mes tyre?
“Flamingo” filloi në Zvërnec, ndërsa Lëvizja e Dhjetorit filloi në Qytetin Studenti.
“Flamingo” filloi me kauzën e largimit të një investimi amerikan: “Ivanka Ik”, ndërsa Lëvizja e Dhjetorit filloi me thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
“Flamingo” filloi pas rrahjes së një minoritari grek, i cili, sipas pretendimeve, u zvarrit barbarisht nga policia private dhe u mbështet nga qeveria greke dhe Fredi Beleri. Lëvizja e Dhjetorit filloi nga studentët me kërkesa për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe garantimin e të drejtave politike.
“Flamingo”, pas 9 ditësh, ende nuk ka as platformë dhe as strukturë përfaqësimi. Lëvizja e Dhjetorit, brenda 5 ditësh, zgjodhi strukturat, negocioi kërkesat dhe shpalli partinë politike.
“Flamingo” proteston në kushte ideale dhe dhjetëra media transmetojnë live, ku mijëra protestues filmojnë veten, fotografojnë familjet dhe vishen luks sikur shkojnë në dasmë. Lëvizja e Dhjetorit zhvillohej në kushte terrori, varfërie, mjerimi, izolimi, pa media, pa rrjete sociale dhe me mungesë ushqimi.
“Flamingo” mbështetet nga Europa kundër Amerikës dhe qeverisë Trump, por edhe nga Greqia apo disa segmente arabe kundër investimeve amerikane ose izraelite. Lëvizja e Dhjetorit mbështetej nga i gjithë Perëndimi, pasi Shqipëria konsiderohej ishulli i fundit i komunizmit në Europë.
“Flamingo” përfshin disa grupime me interesa antagoniste brenda vetes. Aty protestojnë:
minoritarë grekë dhe çamë;
myslimanë me shami, por dhe aktivistë LGBT;
socialistët e Lalit dhe demokratët e Saliut;
sorosistë dhe trumpistë.
E gjithë kjo e pengon të strukturohet.
Lëvizja e Dhjetorit kishte një kauzë dhe disa grupe me të njëjtin interes. Studentët, qytetarët, intelektualët, të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët kishin një interes të përbashkët për t’u grupuar politikisht në një apo disa parti kundër Partisë Komuniste.
“Flamingo” kërkon largimin e dyshes Rama-Berisha, por nuk ka organizim për të nxjerrë një alternativë që t’i konkurrojë. Kush është dyshja që do të garojë në zgjedhje për t’ua marrë pushtetin dy të tjerëve?
Lëvizja e Dhjetorit prodhoi mijëra figura të reja politike që konkurruan kundër figurave të konsumuara të komunizmit. Ramiz Alia humbi në zgjedhje si deputet personalisht në Tiranë.
“Flamingo” ende nuk e ka të qartë vetveten: nëse është një lëvizje ambientaliste për të mbrojtur mjedisin, florën, faunën, zogjtë apo insektet, apo një lëvizje nacionaliste kundër investimeve të huaja, kundër emigrantëve, kundër Izraelit, kundër Amerikës, kundër shitjes së tokës të huajve etj.
Askush nuk e di se cila është ideologjia e kësaj lëvizjeje.
Lëvizja e Dhjetorit ishte e qartë dhe prodhoi disa platforma politike në mbështetje të demokracisë liberale.
“Flamingo” ende nuk dihet nëse synon largimin e Ramës apo të Ivankës, nëse synon largimin e projektit apo të resortit në Zvërnec, nëse do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme apo vetëm protesta në bulevard.
Lëvizja e Dhjetorit ndryshoi sistemin, kushtetutën dhe regjimin politik.
Ajo largoi qeverinë dhe hapi një kapitull të ri në histori.
Ajo e kaloi vendin nga monizmi në pluralizëm.
Me të mirat apo të këqijat e saj, rinia e “Flamingos” duhet të marrë shembull nga studentët e Dhjetorit, sepse në të kundërt do të harrohet njësoj si protestuesit kundër armëve kimike.
A ju kujtohet ndonjë emër prej tyre?
Ndryshimi mes dy lëvizjeve nuk përcaktohet nga veshjet e bukura apo fotot në Facebook. Njësia matëse e suksesit të dy lëvizjeve politike janë rezultatet dhe ndryshimet në sistem, kushtetutë, regjim dhe në të drejtat themelore.
Revolucionet në TikTok mund të jenë progresiste, por nuk kanë domosdoshmërisht thelb politik.
Koha do të tregojë sa forcë do të kenë “Flamingot” për të larguar nga politika jo vetëm dy dinosaurët e vjetër, Berishën dhe Ramën, por edhe sistemin që ata kanë ndërtuar.
A do të ketë forcë “Flamingo” që, pas tre muajsh, të ketë gjysmën e Parlamentit, ashtu si dhjetoristët në vitin 1991?
Nëse jo, është e vështirë të krahasohet forca e studentëve të vitit 1990 me “Flamingot”.
Nëse ata kanë dalë për të mbetur një shoqatë dhe jo për t’u shndërruar në parti politike brenda tre muajsh, atëherë nuk ia vlen të krahasohen as me sindikatat e minatorëve që rrëzuan dy qeveri.
Gjithsesi, ata duhet të mbështeten dhe të orientohen drejt krijimit të partisë “Shqipëria e Re”.
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.