“Nëse Elisa Spiropali do të ishte në PD, do pësonte aksident”
Deklarata e fortë e Kreshnik Spahiut: Do akuzohej si e lidhur me bandat!
Juristi Kreshnik Spahiu ka bërë deklarata të forta lidhur me klimën politike në vend, duke komentuar përplasjet e fundit mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes socialiste Elisa Spiropali.
Spahiu u shpreh se Spiropali është “me fat” që bën pjesë në Partinë Socialiste dhe jo në Partinë Demokratike.
Sipas tij, nëse ajo do të kishte pasur të njëjtën qasje kritike brenda Partisë Demokratike, përballë figurave si Sali Berisha, pasojat do të kishin qenë shumë më të rënda. Spahiu përdori një gjuhë të fortë, duke sugjeruar se në një skenar të tillë, Spiropali mund të ishte etiketuar si e lidhur me krimin e organizuar, ose do të përballej me forma të tjera presioni ekstrem.
Ai shtoi se, ndonëse të dyja partitë kanë problematikat e tyre në mënyrën si trajtojnë mendimin ndryshe, ekziston një dallim i qartë: sipas tij, në Partinë Socialiste kritika çon në përjashtim politik, ndërsa në Partinë Demokratike shoqërohet me stigmatizim publik dhe sulme më të ashpra.
“Spiropali është një politikane me shumë fat që është në PS dhe jo në PD, sepse nëse do të kishte këtë sjellje në PD, sot ose do të kishte pësuar aksident, ose në rastin më të mirë do të konsiderohej e lidhur me bandat e Durrësit, Elbasanit, etj, pra e lidhur me krimin. Sigurisht që të dyja partitë kanë një sjellje, por me një ndryshim, që te PS të përjashtojnë, ndërsa te PD të anatemojnë dhe poshtërojnë, ose të eliminojnë”, tha Spahiu.
Deklaratat e Spahiut në emisionin “Repolitix”, vijnë në një moment kur debatet e brendshme në kampin socialist kanë dalë hapur në publik, duke nxitur reagime dhe analiza mbi mënyrën se si funksionojnë partitë politike dhe raportet e tyre me mendimin kritik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



