Raporti për zgjedhjet, Këlliçi kërkon debat urgjent në Kuvend
Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë seancës plenare të ditës së sotme, kërkoi ndryshime në rendin e ditës, duke propozuar që në axhendë të përfshihet diskutimi mbi raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
Këlliçi e cilësoi këtë raport si një dokument me rëndësi të madhe, që sipas tij, kërkon domosdoshmërisht vëmendjen dhe reagimin institucional të Kuvendit.
“Kanë kaluar gati dy orë nga nisja e seancës. Drejtuesit e institucioneve tashmë i kanë pyetjet që ne kemi dorëzuar. I ftoj të gjithë që të ngrihen në nivelin e integritetit që kërkon posti i tyre, ashtu si Komisioneri për Dezinformimin, i cili në seancën e kaluar tha se nuk është ‘sekretar i asnjë deputeti’ për t’u lexuar pyetjet,” u shpreh Këlliçi.
Ai shtoi se është e papranueshme që përfaqësues të drejtësisë të ndihen të intimiduar nga opozita.
“Është qesharake të thuhet se prokurorë që përballen çdo ditë me kriminelë mund të tremben nga deputetët e opozitës,” theksoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Këlliçi kërkoi që Kuvendi të diskutojë menjëherë raportin e OSBE/ODIHR, duke theksuar se dokumenti përmban prova të qarta për shitblerjen e votës:
“Kjo është një çështje e rëndësishme për vendin dhe Kuvendi duhet ta adresojë sot, përpara qytetarëve shqiptarë,” deklaroi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



