Një debat i fortë është zhvilluar mbrëmjen e sotme në një studio televizive midis deputetit Agron Shehaj dhe analistit Flogert Muça. Shkak u bë diskutimi mbi gjendjen e opozitës dhe mënyrën se si funksionon skena politike shqiptare.
Muça kritikoi mënyrën e organizimit të opozitës, duke e quajtur të shpërndarë dhe të paaftë për t’u përballur me pushtetin aktual.
“Një opozitë e përqendruar dhe vetëm një parti në opozitë mund të funksionojë. Ndërsa ju jeni bërë si zogjtë e korbit, që vetëm përjetësoni Ramën në pushtet,” tha Muça, duke shtuar me ironi: “Unë me disa lek bëj një parti dhe marr 2-3 deputetë.”
Deklarata e tij solli reagimin e menjëhershëm të Shehajt, i cili e akuzoi analistin se po fliste si militant partiak.
“Është fatkeqësi që njerëz të veshur me kostumin e analistit vijnë këtu, por flasin si militantë,” tha Shehaj.
Përplasja vijoi me tone të ashpra, pasi Muça reagoi duke pyetur nëse akuzat drejtoheshin ndaj tij.
“Po për ty e kam, absolutisht,” u përgjigj Shehaj, duke shtuar: “Ti s’je militant, je më keq.”
Në vijim, debati kaloi në akuza për financime dhe ndikime politike. Muça mohoi të ketë marrë para nga politikanë dhe theksoi se portali i tij funksionon në mënyrë të pavarur.
“Unë nuk kam paguar ndonjëherë për t’u bërë deputet. Kam punët e mia, kam kontratat e mia. Kam reklama, shikoje në portal,” u shpreh ai.
Ndërsa Shehaj e akuzoi se portali i tij mbështet qeverinë, Muça iu përgjigj:
“Unë nuk jam problemi, problemi jeni ju. Nuk blej deputetë dhe nuk jap para për mandate. Të paktën unë nuk kam paguar për t’u bërë deputet.”
Përplasja mes të dyve vijoi me tone të ngritura, duke e kthyer debatin politik në një ballafaqim personal për etikën dhe moralin në jetën publike.
Pjesë nga debati:
Flogert Muça: Një opozitë e koncentruar dhe vetëm një parti politike në opozitë, bllok, apo më mirë e hallakatur si zogjtë e korbit që jeni bërë ju që përjetësoni Ramën në pushtet? Unë kësaj historie, kam disa lek, bëj një parti marr 2-3 deputetë
Agron Shehaj: Është fatkeqësi që njerëz të veshur me kostumin e analistit vijnë këtu, pa kapelën e militantit dhe flet.
Flogert Muça: E ke për mua?
Agron Shehaj: Po për ty e kam, absolutisht.
Flogert Muça: Jam militant?
Agron Shehaj: Jo, jo, t’i s’je militant, je më keq.
Flogert Muça: Unë nuk kam paguar ndonjëherë për t’u bërë deputet.
Agron Shehaj: Nga kush paguhesh ti, më thuaj?
Flogert Muça: Nga kush mendon ti. Kam kontratat e mia, kam punët e mia.
Agron Shehaj: Ke një portal ti? Si e financon?
Flogert Muça: Do të të jap llogari ty?!
Agron Shehaj: Shpjegoja qytetarëve jo mua.
Flogert Muça: Qytetarët mua më lexojnë.
Agron Shehaj: Sa gazetarë ke ti në atë portal, që mbështet nga mëngjesi në darkë Ramën?
Flogert Muça: Unë jam problemi, nuk është Edi Rama, jam unë tani? Nëse unë marr lek ndokujt bravo më qoftë, por unë nuk kam dhënë lek për t’u bërë deputet.
Agron Shehaj: Si i merr lekët?
Flogert Muça: Unë nuk kam paguar asnjëherë për t’u bërë deputet. Portali im ka ngrënë atë që nuk thuhet, duke të mbështetur ty dhe Erald Kaprin. Ti nuk më ke dhënë lek dhe të kam mbështetur në fushatë.
Agron Shehaj: Nga mua nuk merr para për atë punë.
Flogert Muça: Nuk marr pra nuk marr, se ti nuk jep tek unë, jep në vend tjetër. Unë për tu bërë deputet nuk kam dhënë para dhe as nuk do të jap. As për të blerë deputetë as nuk kam dhënë as nuk do të jap.
Agron Shehaj: Ti bën moralistin, na bën moralin këtu. Tregon ku i gjen lekët. A ke portal apo jo? Ku i gjen lekët?
Flogert Muça: Kam reklama, mo vlla. Shife në portal, budalla je ti.
Agron Shehaj: Ti i shërben Ramës dhe bredh studio më studio dhe thua që problemi janë partitë e vogla.
Flogert Muça: Ore ju jeni problemi. Unë nuk jap para për tu bërë deputet, unë nuk blej mandate deputeti.
Agron Shehaj: Kudo ku shkoj unë kam këtë përballë.







