Zbardhen mesazhet e Ballukut me Berberin për turqit e Tunelit të Llogarasë
Zbardhen mesazhe të reja nga dosja e SPAK që rëndojnë pozitën e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë.
Përmes komunikimeve të siguruara nga hetuesit, zbulohet se Balluku ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, për përfshirjen e kompanive turke në këtë proces.
Sipas dosjes, 11 ditë përpara rihapjes së tenderit, më 19 gusht 2021, ministrja i dërgon Berberit një mesazh në anglisht, të cilin ia kishin përcjellë përfaqësues të kompanisë turke “Intekar Yapi Tur. Elektrik Insaat Sanayi Ve Ticaret Ltd.”.
Në mesazh, i përkthyer në shqip, thuhej:
“Shoqëria jonë ‘INTEKAR YAP! TUR. ELEKTINSSAN. dhe TiC. LLC.’ ka përfunduar punimet dhe dokumentacionin për tenderin e tunelit të Llogarasë në nivelin 95%.
Kemi krijuar një bashkim shoqërish (joint venture) me kompaninë ASL iNS TAAH. VE SAN. TiC.LTD.STI, e cila ka ndërtuar një tunel autostrade 4 km në Turqi dhe është një kompani që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë.
Përfaqësuesit dhe avokatët tanë në Shqipëri po vazhdojnë negociatat me znj. Arta lidhur me tenderin. Inxhinierët tanë po përfundojnë dokumentacionin dhe studimet e kostove në Ankara. Me 18 gusht 2021, menaxherët dhe inxhinierët do të jenë në Shqipëri për të parë trasenë e tunelit dhe për të finalizuar detajet.”
SPAK thekson në dosje se, sipas të dhënave të sistemit TIMS, inxhinieri turk Ayhan Altun, përfaqësues i kompanisë “Intekar”, ka hyrë në Shqipëri më 18 gusht 2021 dhe është larguar më 21 gusht 2021.
Në vijim, ministrja Balluku i shkruan sërish Berberit, duke e shtyrë të takohet me përfaqësuesit turq:
24 gusht 2021, ora 14:12-14:19
Balluku: “Fole me Arten? Turqit gjekundi? Nesër në 11 takim. Duhet aktivizojmë atë që takuam të premten.”
Berberi: “Ok, po fola unë, t’i them të shkruajë.”
Balluku: “Ore, këta nuk qenkan në Tiranë.”
Berberi: “Turqit?”
Balluku: “Po ata, se për kë po flasim.”
Berberi: “Vazhdojmë me të premten.”
Balluku: “Do presim deri nesër.”
Berberi: “Ok, tak nesër.”
Nga përmbajtja e bisedave, SPAK konstaton se komunikimet mes Ballukut dhe Berberit janë zhvilluar pak ditë para se tenderi i Llogarasë të hapej më 30 gusht 2021, duke ngritur dyshime për ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë fituese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



