E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pacolli: Ju tregoj si Balluku më thirri në zyrë dhe më fyeu
Lajme

Pacolli: Ju tregoj si Balluku më thirri në zyrë dhe më fyeu

“Tenderi ishte fiktiv dhe fituesit ishin të paracaktuar”

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka bërë publike për herë të parë prapaskenat e përfshirjes së tij në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si është zhvilluar tenderi për këtë projekt gjigant.

Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Pacolli rrëfeu se gjithçka nisi nga një ide që i propozoi Valon Ademi, i cili e njoftoi për një koncesion që kishte dështuar më herët.

“Ai më tha se donte të hynte, por nuk kishte as referencat dhe as mundësitë financiare. Ia kalova dokumentet kompanisë për t’i shqyrtuar nëse kishte interes. Kompania më tha se ishte projekt me potencial dhe përgatiti dokumentet bankare. Por na duhej edhe një kompani menaxhuese pas ndërtimit. Ne kontaktuam me disa kompani dhe Aeroporti i Mynihut tregoi interes”, tha Pacolli.

Më pas, sipas tij, ndodhi një takim në zyrën e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ku ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i kompanisë turke. Pikërisht në këtë takim, Pacolli tha se kuptoi se fituesit e tenderit ishin të paracaktuar.

“Në ministri hymë unë, turku dhe zonja Balluku. Unë mbeta në anë, ndërsa ajo i fliste vetëm atij. Kuptova që ministrja i propozoi që të merrte pjesë në tender dhe të ishte bashkë-financues. Në një moment i thashë: ‘Ju po bëni muhabet mes jush, unë po iki’. Sinqerisht u ndjeva i fyer, ishte hera e parë që dikush nuk më konsideron,” rrëfeu ai.

Pacolli shtoi se përfaqësuesi turk, pas takimit, i tha se do të merrte 60% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do të ndahej midis tij dhe Valon Ademit.

“Më pas më tha se unë do kisha 60% dhe ata 40%, por në fund ramë dakord që unë të kisha 58%, turqit 40% dhe Valon Ademi 2%. Gjithë kjo histori më bindi që tenderi ishte fiktiv dhe fituesit ishin të paracaktuar,” – përfundoi Pacolli.

Ky rrëfim i biznesmenit kosovar ka hapur debat të ri mbi transparencën e tenderëve strategjikë në infrastrukturë, veçanërisht pas hetimeve që po zhvillon SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë dhe lidhjet e saj me të njëjtën ministri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.