Vodhi klientin, kapet në Londër ish-drejtori i bankës në Kombinat
Do të ekstradohet në Shqipëri
Një ish-drejtor banke shqiptar është arrestuar në Angli, pasi akuzohet se ka vjedhur disa herë paratë e një klienti, ndërsa mbante post drejtues në një degë banke në Kombinat.
Mësohet se i arrestuari është Florant Nako, 40 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana. Ai u prangos në Londër dhe ndodhet në pritje të vendimit për ekstradim drejt Shqipërisë.
Sipas dokumenteve të gjykatës britanike, Nako akuzohet se më 15 tetor 2018 ka përvetësuar 4 mijë euro nga llogaria e klientit Nikolla Nika, në degën ku punonte si drejtor. Por ky nuk ishte rasti i vetëm.
Vetëm pak muaj më vonë, më 8 korrik 2019, ai dyshohet se ka tërhequr në mënyrë të paligjshme edhe 1.3 milionë lekë, sërish nga e njëjta llogari. Ndërsa më 26 korrik të po atij viti, sipas dosjes hetimore, Nako ka vjedhur edhe 550 mijë lekë të tjera, duke e bërë klientin të humbiste një shumë të konsiderueshme.
Pas këtyre ngjarjeve, ish-drejtori dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi. Në vitin 2020, Policia e Tiranës njoftoi se hetimi kishte zgjatur rreth katër muaj, ndërsa ndaj tij u ngrit akuza për “vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën”.
Në një reagim të asaj kohe, banka ku ndodhi ngjarja theksonte se:
“Që në momentin e parë të konstatimit të incidentit, u morën të gjitha masat sipas procedurave të brendshme dhe u bashkëpunua me organet ligjzbatuese për mbrojtjen e interesave të klientit.”
Florant Nako pritet të dalë përpara gjykatës së Londrës më 11 nëntor 2025, ku do të vendoset përfundimisht nëse do të ekstradohet drejt Shqipërisë./ Muhamet Veliu / TCH
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



