U qëllua me 10 plumba në Rinas, si paraqitet gjendja e Muçi Shaljanit
Gjendja shëndetësore e Mustafa Sheqerit, i njohur ndryshe si Muçi Shaljani, mbetet kritike dhe e paqëndrueshme.
40-vjeçari, që u plagos rëndë në atentatin mafioz të ndodhur të martën pranë aeroportit të Rinasit, po lufton për jetën në repartin e reanimacionit, ku ndodhet i intubuar nën kujdesin e mjekëve.
Burime spitalore konfirmojnë se Shaljani ka marrë plot 10 plumba, mes tyre 2 në kokë dhe disa të tjerë në pjesë të ndryshme të trupit.
Mjekët po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i shpëtuar jetën, ndërsa orët e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e tij.
Shaljani ndodhej në të njëjtën makinë me Gilmando Danin, 47 vjeç, i cili u ekzekutua në vend gjatë breshërisë së kallashnikovit që tronditi Rinasin – një nga zonat më të sigurta të vendit.
Të dy ishin sapo kthyer nga Barcelona, ndërsa atentatorët, të armatosur rëndë dhe ende të paidentifikuar, i pritën në dalje të aeroportit, duke qëlluar nga një automjet në lëvizje.
Makina e autorëve u gjet më pas e djegur në fshatin Halil, me brenda 4 kallashnikovë dhe qindra gëzhoja, një shenjë e qartë e profesionalizmit dhe përgatitjes së grupit që kreu atentatin.
Hetimet po vazhdojnë, ndërsa burime nga grupi hetimor pohojnë se autorët kanë pasur informacion të detajuar për lëvizjet e viktimave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



