E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Rri në shtëpi dhe mos voto’, detajet për akuzat ndaj Majlinda Bufit
Lajme

‘Rri në shtëpi dhe mos voto’, detajet për akuzat ndaj Majlinda Bufit

SPAK ka mbyllur fazën hetimore dhe ka dërguar për gjykim Kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, e cila akuzohet për “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Sipas SPAK, gjatë ushtrimit të detyrës si kryebashkiake, Bufi dyshohet se i ka kërkuar shtetasit G.B. të mos marrë pjesë në votimet e 14 majit 2023 dhe të qëndrojë larg aktiviteteve zgjedhore të subjekteve të tjera politike, një veprim që bie ndesh me ligjin dhe detyrimet e funksionarëve publikë.

Në njoftimin zyrtar, SPAK kujton edhe publikimin e një audio-regjistrimi më 6 maj 2023, rreth orës 14:04, ku sipas transkriptit, Bufi shfaqet e irrituar ndaj G.B., një përfitues i programit social të bashkisë “Përmirësimi i kushteve të banimit për familjet e varfra dhe të pafavorizuara”, miratuar me vendimin nr. 40, datë 1 mars 2022.

Çfarë rezultoi nga hetimet?

Gjatë verifikimeve, u konstatua se megjithëse gjendja sociale e familjes së G.B. e justifikonte përfshirjen në program, objekti për të cilin kërkohej mbështetje nuk ishte banesë ekzistuese, por një ndërtesë ende në ndërtim dhe me dokumentacion të paplotë mbi pronësinë. Pavarësisht kësaj, kryebashkiakja Bufi rezulton të ketë qenë e informuar për përfshirjen e tij në program.

Hetimi zbuloi gjithashtu se para takimit të regjistruar midis të pandehurës dhe G.B., punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Roskovec kishin shkuar në banesën e tij, duke i kërkuar sqarime për punimet dhe ndalimin e tyre, pasi dyshoheshin si ndërtime pa leje.

Më pas, G.B. është thirrur në ambientet e Bashkisë, ku ka zhvilluar një bisedë me Majlinda Bufin. Sipas SPAK, gjatë këtij takimi është ushtruar presion ndaj tij, duke i rikujtuar “tejkalimin e ndihmës”, akuzën për ndërtim pa leje, si dhe faktin se ai kishte dërguar më herët mesazhe mbështetjeje për kandidatin e opozitës.

Në vijim të bisedës, Bufi i ka kërkuar atij që “nga ai moment e deri në përfundim të zgjedhjeve të mos fliste as ai dhe as familja e tij, të rrinte në shtëpi dhe të mos merrte pjesë në votimet e 14 majit 2023”, duke pretenduar se po e ndihmonte të shmangte pasoja administrative.

Në përmbyllje të njoftimit, SPAK thekson se kërkesa e kryebashkiakes është bërë në kushtet e presionit dhe kundër vullnetit të shtetasit G.B., i cili pavarësisht gjithçkaje, ka ushtruar të drejtën e votës në datën 14 maj 2023, sipas vullnetit të tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.