Sfida Shqipëri-Angli/ ‘Paralizohet’ Tirana, ja rrugët që bllokohen
Policia e Shtetit ka bërë publik planin e detajuar të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes ndërkombëtare të futbollit midis Shqipërisë dhe Anglisë, e cila do të luhet më 16 nëntor, ora 18:00, në stadiumin “Air Albania”.
Masa të rrepta sigurie për ekipin anglez dhe territorin e Tiranës
Në kuadër të kësaj ndeshjeje, Policia ka marrë masa të posaçme për:
-
Shoqërimin dhe sigurimin e ekipit të Anglisë, nga mbërritja në Rinas, drejt hotelit, stadiumit dhe deri në nisjen e tyre.
-
Organizimin e shërbimeve policore për rend publik në të gjithë Tiranën, jo vetëm në perimetrin e stadiumit.
-
Kontrolle të detajuara në mjediset e brendshme dhe të jashtme të stadiumit për persona të paautorizuar dhe sende të ndaluara.
-
Sigurimin e korridoreve të emergjencës për shërbimet mjekësore dhe zjarrfikësit.
-
Menaxhimin e trafikut urban para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Policia ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e aktivitetit: FSHF, UEFA, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, shërbimin zjarrfikës, shoqëritë private të sigurisë, si edhe me spitalet dhe qendrat shëndetësore. Po ashtu, janë vendosur kontakte të vazhdueshme me personelin e sigurisë së ekipit të Anglisë.
Kufizime qarkullimi në Tiranë më 16 nëntor
Nga ora 14:00 deri në përfundimin e ndeshjes, do të ketë bllokime trafiku në akset:
-
Rruga “Papa Gjon Pali II”
-
Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së
-
Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së
-
Rruga “Themistokli Gërmenji”
-
Rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Liceut
-
Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”
-
Rruga “Jul Variboba”, pranë postës
-
Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës
-
Rruga “Avdyl Frashëri”, kryqëzimi i Librit Universitar
-
Rruga “Skerdilajd Llagami”
-
Rruga “Faik Konica”
Kontrollet e tifozëve dhe lista e sendeve të ndaluara
Policia do të kontrollojë imtësisht çdo tifoz para hyrjes në stadium, për të parandaluar futjen e:
-
banderolave me përmbajtje raciste
-
fishekzjarrëve, flakadanëve dhe lëndëve piroteknike
-
monedhave metalike
-
çadrave
-
çakmakëve
-
karikuesve të celularëve
-
mjeteve kozmetike
-
sendeve të forta apo të rrezikshme për jetën e të pranishmëve
Hyrja e tifozëve fillon në ora 15:00, ndërsa Policia kërkon mirëkuptim për paraqitje të hershme për të shmangur fluksin para fillimit të ndeshjes.
Paralajmërimet ligjore: Çfarë ndëshkohet sipas Kodit Penal?
Policia rikujton se, sipas ligjit shqiptar:
-
Hyrja e paautorizuar në fushë gjatë ndeshjes dënohet me 50,000–100,000 lekë gjobë, ose deri në 3 muaj burg nëse pengon zhvillimin e aktivitetit.
-
Hedhja e sendeve të forta apo përdorimi i lëndëve piroteknike dënohet me 6 muaj deri në 3 vjet burg.
-
Dhuna ndaj sportistëve, trajnerëve, arbitrave apo stafit sportiv dënohet me 1 deri në 3 vjet burg, ndërsa kryerja e përsëritur apo nga persona të klubeve dënohet me 1 deri në 5 vjet burg.
Qindra efektivë në terren
Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të jenë të pozicionuar në rrugë, në stadium dhe në pikat kyçe të qytetit. Efektivët do të ofrojnë ndihmë, orientim dhe informacion për tifozët shqiptarë dhe të huaj, me qëllim që aktiviteti të zhvillohet pa incidente dhe të përfundojë me sukses, në interes të imazhit të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



