Debat i ashpër mes deputetit Agron Shehaj dhe kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, është zhvilluar ditën e sotme në komision, pas deklaratave të Shehajt se Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje publike për lirimin nga burgu të Erion Veliajt.
Shehaj deklaroi se kjo nuk është thjesht argument politik, por “fakt i dokumentuar”, duke iu referuar një postimi të Ramës në rrjetet sociale. Sipas Shehajt, në reagimin e kryeministrit thuhej se:
“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri më 2027, jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë, mbajtja në qeli në dëm të qytetarëve për t’u shërbyer nga i drejti. Përtej të gjitha teorive të tjera, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.”
Sipas Shehajt, ky mesazh është një presion i qartë për lirimin e Veliajt:
“Ky është një skandal. Kjo do të thotë: Veliaj të dalë nga burgu, se na qenkej Tirana jetim,” – u shpreh ai, duke shtuar më tej:
“Nëse doni mendimin tim, më mirë një Tiranë pa kokë, sesa një Tiranë me kokë të korruptuar.”
Nga ana tjetër, Taulant Balla reagoi menjëherë, duke e quajtur deklaratën e Shehajt të pavërtetë dhe të manipuluar.
Shehaj insistoi se fjala e kryeministrit është e qartë dhe e shkruar publikisht, përtej interpretimeve politike.







