Një vit pa Martin Canin, nëna e të miturit ngre zërin për drejtësi
E marta e 18 nëntorit shënon një vit nga ngjarja e rëndë që tronditi vendin, ku i mituri Martin Cani humbi jetën pas një konflikti, pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Autori i dyshuar, bashkëmoshtari i tij Marjo Perlleshaj, e goditi me thikë duke i shkaktuar plagë fatale.
Familjarët e Martinit u mblodhën në nderim të tij, ndërsa nëna e të miturit, e prekur thellë, përcolli një mesazh të fortë për institucionet dhe drejtësinë. Ajo deklaroi se djali i saj “nuk e meritonte të largohej në atë mënyrë”, duke paralajmëruar se do të apelojë çdo vendim gjyqësor për autorin.
Një ditë më parë, Prokuroria kërkoi 25 vite burg për Perlleshajn, ndonëse në proces mund të zbatohet edhe kodi i posaçëm për të miturit.
Nëna e Martinit, mes dhimbjes, falenderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj periudhe:
“Iku në mënyrën më mizore nga kjo botë. Shoku iu kthye në armik dhe i mori jetën. Heshtja vret, prandaj nuk duhet të heshtim. Martini ishte i dashur, sportist, një fëmijë i ëmbël. Nuk e meritonte këtë fund. Iu lus institucionet të marrin masa, që askush të mos ketë fatin e Martinit,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se një nderim simbolik në shkollë do të ishte gjest i merituar për të birin:
“Meritonte një stol me emrin e tij në oborrin e shkollës, apo edhe palestrën të mbante emrin e Martinit. Ai e meritonte.”
Rasti i Martinit shërbeu si kambanë alarmi për fenomenin në rritje të dhunës mes të miturve, ndërsa familja kërkon drejtësi të plotë dhe masa më të forta parandaluese në institucionet arsimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


