E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prindërit e Martin Canit shpërthejnë ndaj kryeministrit Rama
Lajme

Prindërit e Martin Canit shpërthejnë ndaj kryeministrit Rama

“Përdori emrin e djalit tonë për politikë, siguria në shkolla kërkon veprime dhe jo propagandë”

Prindërit e të ndjerit Martin Cani kanë reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, të bëra gjatë prezantimit të projektit “Smart City” në shkolla. Në një deklaratë publike të detajuar, familja e konsideron të papranueshme përdorimin e emrit të djalit të tyre për qëllime politike dhe propagandistike, duke theksuar se institucionet kanë dështuar në mbrojtjen e tij.

Sipas tyre, pavarësisht deklaratave zyrtare, realiteti në vend mbetet shqetësues, pasi dhuna ndaj të miturve vijon dhe institucionet nuk kanë reflektuar. Ata kundërshtojnë drejtpërdrejt edhe pretendimin se mbyllja e rrjeteve sociale ka ndikuar në rritjen e sigurisë, duke sjellë si shembuj raste tragjike të ndodhura së fundmi në vende të ndryshme të vendit.

Familja shpreh rezerva të forta edhe ndaj projektit për vendosjen e kamerave në shkolla, duke argumentuar se teknologjia nuk mund të zëvendësojë masat reale për parandalimin e dhunës dhe mbështetjen psikologjike për nxënësit.

Një tjetër pikë e fortë e reagimit lidhet me mungesën e mbështetjes institucionale për familjen, ndërsa ngrihen pyetje të drejtpërdrejta mbi përgjegjësitë konkrete të institucioneve shëndetësore dhe të rendit. Sipas tyre, mungesa e pajisjeve jetike dhe e specialistëve në sistemin shëndetësor ka qenë vendimtare në tragjedinë që i mori jetën djalit të tyre.

Po ashtu, familja kritikon edhe mënyrën si është trajtuar çështja në institucione, duke përmendur mungesën e reagimit ndaj sjelljeve të papërshtatshme në Kuvend, si dhe dështimet në procesin hetimor.

Në përfundim, ata kërkojnë drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë së fëmijëve, duke paralajmëruar se nuk do të heshtin deri në zbardhjen e plotë të çështjes.

Çfarë deklaroi kryeministri Rama?

“Sot të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të Shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë konvulsive psikologjike, me versionet e ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Në ndërkohë që Policia e Shtetit dhe natyrisht, përmes Policisë së Shtetit, Ministria e Arsimit, qeveria, u vunë në shënjestër të gjithfarë lloj spekulimesh, akuzash, sajesash dhe fabrikimesh, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo pak familjarët, por edhe gjithë opinionin publik. Unë nuk e kam harruar, siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën, keqpërdoren, abuzuan deri në fund atë tragjedi, sepse e kujtoj përditë, duke ndjekur pikërisht këtë projekt, që është përgjigja ime dhe përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.”, tha Rama.

DEKLARATA E PLOTË E FAMILJES CANI:

Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.

Edhe sot, në fjalimin e tij publik, Kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.

Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok

Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:

Një i mitur u vra në Maliq.
Një tjetër i mitur u vra në Durrës.

Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.

Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin

Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”

Por kamerat:

nuk parandalojnë dhunën,
nuk zëvendësojnë psikologët,
nuk zgjidhin mungesën e sigurisë,
nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.

Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.

Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë

Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:

Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?
Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?
Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?

Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.

Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?

Martini vdiq sepse:

Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;
Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.

Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.

Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?

Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?

Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:

Ministrja Manastirliu qeshi;
Ministrja Balluku qeshi.

Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.

A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?

Policia nuk bëri detyrën – arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm

Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:

Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;
Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;
Hetimi nuk do të ishte i cunguar.

Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.

Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën “Fan Noli” dhe sistemin shëndetësor

Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:

Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës “Fan Noli”, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;
Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.

18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.

Ne nuk do të heshtim

Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.

Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.

Ne kërkojmë:

Drejtësi për Martinin
Siguri për fëmijët e Shqipërisë
Përgjegjësi nga institucionet
Veprime, jo fjalë

Familja Cani
Tiranë, 17.07.2026

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.