Skandaloze! Pacientët e Onkologjikut mbeten pa trajtim
A njeh kanceri pushim?
Gazetari Osman Stafa ka denoncuar sot një situatë shqetësuese në Onkologjikun e Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale, Stafa thotë se seancat e kimioterapisë për pacientët me kancer po shtyhen për shkak të pushimeve të stafit mjekësor.
Sipas tij, një pacient që duhej të merrte kimioterapi brenda 21 ditëve, sipas protokollit mjekësor, është njoftuar se trajtimi do të shtyhet deri të martën, pra pas 25 ditësh.
“Njëhërë kimio duhet të bëhet çdo 21 ditë. A njeh kanceri pushim? Mjekët mund të bëjnë pushime, por cili duhet të ketë përparësi: e drejta për pushim apo e drejta për trajtim sipas protokollit, me qëllim mposhtjen e kancerit?” shkruan Stafa në Facebook.
Ai ngre pyetje të forta mbi respektimin e protokolleve mjekësore dhe mbi të drejtën e pacientëve për trajtim të rregullt:
“A është korrekte që sot, e premte, një pacient me kancer, që duhet të kryente kimioterapi (njëherë në 21 ditë), duhet të presë deri të martën, pas 25 ditësh? Nëse kjo lejohet, atëherë pse protokolli thotë që kimio duhet të bëhet çdo 21 ditë?”
Postimi ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët dhe pacientët, duke vënë në pah nevojën urgjente për menaxhim të drejtë dhe respektim të protokolleve në trajtimin e sëmundjeve serioze si kanceri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



