Trump shpall “mbylljen e plotë” të hapësirës ajrore mbi Venezuelë
Maduro e quan “kërcënim kolonial”
Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur tensionet me Caracas-in me deklaratën se hapësira ajrore “mbi dhe rreth Venezuelës” duhet të konsiderohet “e mbyllur plotësisht”, duke shtuar presionin ndaj regjimit të Nicolás Maduro-s.
Deklarata e papritur është cilësuar nga qeveria venezueliane si një “kërcënim kolonial” dhe një përpjekje për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Paqartësi në Uashington: politikë e re apo retorikë e ashpër?
Deri tani, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një sqarim zyrtar nëse Trump po paralajmëron një politikë të re bllokimi ajror, apo thjesht po përforcon qasjen agresive ndaj Maduros.
Fushata e tij ka intensifikuar operacionet kundër trafikut të drogës në Karaibe dhe Paqësorin lindor, ku që prej fillimit të shtatorit janë vrarë mbi 80 persona gjatë goditjeve ndaj gomoneve të dyshuara. Paralelisht, SHBA ka shtuar dukshëm praninë ushtarake në rajon.
Në deklaratën e tij, Trump ju drejtua “kompanive ajrore, pilotëve, trafikantëve të drogës dhe trafikantëve të njerëzve”, por shmangu çdo përmendje direkte të Maduros.
Caracas reagon: “Akt armiqësor kundër shtetit venezuelian”
Qeveria venezueliane reagoi me tone të ashpra, duke “hedhur poshtë fuqishëm” çdo pretendim për mbylljen e hapësirës ajrore dhe duke e cilësuar veprimin amerikan si një shkelje flagrante të sovranitetit.
Ministria e Jashtme në Caracas akuzoi SHBA-në se ka pezulluar në mënyrë të njëanshme fluturimet dyjavore të deportimit të emigrantëve. Vetëm këtë vit, mbi 13 mijë venezuelianë janë rikthyer në Caracas përmes dhjetëra fluturimeve charter.
Ndërkohë, pas paralajmërimeve të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA për rrezikshmëri në zonë për shkak të aktivitetit ushtarak, disa linja ndërkombëtare nisën anulimin e fluturimeve drejt Venezuelës.
Përplasja politike dhe akuzat për “narko-terrorizëm”
SHBA nuk e njeh Nicolás Maduro-n si udhëheqës legjitim të vendit. Ndërkohë, ai përballet me akuza për “narko-terrorizëm” në gjykatat amerikane – akuza të cilat ai i ka mohuar në mënyrë të përsëritur.
Ushtria amerikane ka intensifikuar lëvizjet pranë Venezuelës. Aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford dhe mbi një duzinë anijesh luftarake me rreth 12 mijë marinsa janë vendosur në rajon në kuadër të operacionit “Southern Spear”.
CIA në lojë? Uashingtoni po shqyrton opsione të tjera
Në klimën e rritur të tensionit, administrata Trump po konsideron edhe opsione të fshehta të CIA-s ndaj Venezuelës, sipas burimeve në Uashington.
Ndërsa retorika përshkallëzohet dhe vendet shpallin masa të reja, situata në rajon mbetet tejet e brishtë, duke ngritur shqetësime për një përplasje të re të mundshme ushtarake në hemisferën perëndimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



