E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dosja Tahiri dhe zgjedhja e Kryeprokurores/ Rastësi apo kthesë e fortë hetimesh…
Lajme

Dosja Tahiri dhe zgjedhja e Kryeprokurores/ Rastësi apo kthesë e fortë hetimesh…

Në datën 18 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë me 69 votat e deputetëve socialistë zgjodhi Arta Markun në postin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Një ditë më pas Marku mori zyrtarisht detyrën, ndërsa në organin qendror të akuzës pati disa zhvillime, të cilat më parë ishin paralajmëruar nga opozita parlamentare (PD+LSI).

Marku nga momenti që morri detyrën pati një takim me ambasadorin e SHBA, Donald Lu, më pas takoi dy ose tre diplomatë të akredituar në Tiranë, priti ministrin e Brendshëm dhe më pas kreun e SHISH, të emëruar nga Kryeministri Rama.

Zyrtarisht u tha se në takime ishte shprehur mbështetje, por edhe bashkëpunim mes institucioneve.

Më pas, detyra e Markut vijoi me firmosjen e disa lëvizjesh prokurorësh në Prokurorinë e Përgjithshme, më konkretisht në pozicionet kyçe të organit të akuzës. Kjo mund të konsiderohej një lëvizje normale, nëse Kryeprokurorja do të kishte një mandat të plotë, pra jo të përkohshëm. Gjithsesi edhe me statusin e saj aktual, pra si e përkohshme, deri diku lëvizjet mund të justifikohen, edhe pse mund të ngrihen pikëpyetje dhe hamendësime.

Një ndër drejtuesit që u ndryshuan ishte kreu i Njësisë së Dekriminalizimit, ku në vend të prokurores Rovena Gashi, është emëruar Arqile Koça, një prej kandidatëve që synonte postin e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, në garën e çelur nga socialistët. Tashmë Koça çështjen e parë që do të përballet është ajo e dy deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, për të cilët ish-drejtuesja e njësisë, Gashi, kishte kërkuar nga KQZ, ndërprerjen e mandatit. KQZ kërkoi të dhëna shtesë nga Prokuroria dhe do të shihet se çfarë do të bëjë drejtuesi i njësisë në fjalë, pra nëse procedura do të ndërpritet, apo do të këmbëngulet në zbatimin e kërkesës së parë.

Një javë pasi Marku morri detyrën e Kryeprokurores, pra në datën 26 dhjetor, Apeli i Krimeve të Rënda, vendosi që ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, t’i zhbllokohej pasaporta duke lejuar udhëtimin jashtë vendit. Pasaporta e Tahirit ishte bllokuar në shkallën e parë të Krimeve të Rënda, por ky vendim u rrëzua në apel.

Rreth një javë nga ky vendim, duke zbritur edhe ditët e pushimit, po Apeli i Krimeve të Rënda, vendosi lirimin e Orest Sotës, në automjetin e të cilit u bllokuan 863 mijë euro, pas pagesës së garancisë prej rreth 5 milionë lekësh.

Prokuroria dyshonte për lidhjet e Sotës me Tahirin dhe shpresonte që të zbardhte këto lidhje.

Pra dy nga personazhet kryesore të organit të akuzës, që nga emërimi i Kryeprokurores së Përkohshme, duket se kanë pasur fat, megjithëse zyrtarisht vendimet për to, qoftë në rastin e zhbllokimit të pasaportës së Tahirit, ashtu edhe lirimi i Sotës, ka të bëjë me Gjykatën dhe jo me një ndryshim në qëndrimin e prokurorisë.

Por situata në rastin e Tahirit ishte paralajmëruar nga opozita, e cila akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po tentonte të kapte organin e akuzës, për të prishur hetimet. Gjatë debateve në lidhje me çështjen në fjalë, PD deklaronte se përmes procedurës së zgjedhur, Kryeprokuror i vendit ishte Edi Rama, meraku i të cilit ishin dosjet, jo vetëm për Tahirin, por edhe për çdo zyrtar tjetër të lidhur me të.

Dhe duket se në paralajmërimet e saj, opozita ka pasur të drejtë, nëse nuk do të konsiderohen si rastësi dy vendimet e Apelit të 10 apo 14 ditëve të fundit, në lidhje me atë që njihet si çështja Tahiri.

Tashmë pritet për të parë se çfarë do të ndodhë me hetimin në fjalë, apo dosje të tjera që mund të ndodhen në duart e organit të akuzës, ndërkohë që janari sapo ka nisur dhe sipas ambasadorit amerikan në Tiranë, është periudha e peshqve të mëdhenj që duhet të bien në rrjetën e drejtësisë…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.