Nëntori tregoi fytyrën e vërtetë të sigurisë në Shqipëri
Nëntori u mbyll me dy atentate mafioze, të kryera me qetësi kirurgjikale, që lanë pas viktima dhe panik. Por teksa krimi i organizuar po jepte shfaqjen e radhës të forcës së tij brutale, Policia e Shtetit zgjodhi të festojë arritje… në Marok.
Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda, nga Asambleja e 93-të e Interpolit, i rrethuar nga 196 homologë, u shfaq me besim të plotë, duke deklaruar se Policia shqiptare është tashmë “profesionale, e besueshme dhe e barabartë me partnerët ndërkombëtarë”.
Në Tiranë, postimi i triumfit u shpërnda në Facebook. Në Elbasan, disa orë më pas, një biznesmen u ekzekutua me dy plumba në kokë. Një Shqipëri, dy realitete.
Kur fjalët shkëlqejnë, ndërsa realiteti përgjaket
Edmond Mëhalla, 43 vjeç, u vra brenda lokalit të tij, me një skemë që i ngjan kornizës klasike të mafies: atentatorë të maskuar, automatikë, arratisje e pastër, dhe pastaj – si zakonisht – mjeti i djegur disa kilometra larg.
E njëjta skenë, i njëjti stil, i njëjti mesazh: ata që vrasin lëvizin më shpejt se ata që duhet t’i kapin.
Kjo ngjarje erdhi vetëm 19 ditë pas vrasjes së Gilmando Danit në Rinas dhe plagosjes fatale të agjentit të AMP-së, Muçi Shaljani. Edhe atje skema ishte po ajo: automatikë, arratisje, makinë e djegur… dhe asnjë i arrestuar.
5 hapat e atentatit shqiptar manuali i pandryshueshëm
Në të dyja ngjarjet, skenari ishte identik:
- Sulm me armë automatike
- Ekzekutim brenda sekondave
- Makina e autorëve zhduket me shpejtësi
- Mjeti digjet disa kilometra më tej
- Kamera sigurie që “nuk panë askënd”
Pra, zero autorë, zero të dyshuar, zero rezultat.
Por në Facebook, shndrisin fotot me uniforma të lara dhe deklarata plot ambicie ndërkombëtare.
Barazia e vetme barazi në selfie
Kontrasti është aq absurd sa nuk mund të kalojë pa u komentuar.
“Këtu bien plumba në rrugë,shefat e policisë janë në konferenca. Duhej të ishin në krye të detyrës, jo në podium.”
Por, sipas drejtuesve të Policisë, ne nuk duhet të shqetësohemi: tashmë jemi “në të njëjtin nivel me partnerët”.
Vetëm një problem i vogël: partnerët e huaj kapin autorët. Ne kapim këndet më të bukura për foto.
48 orë? 48 ditë? Apo 48 muaj?
Nëse Policia e Shtetit është vërtet “profesionale dhe e besueshme”, siç deklaron kreu i saj, qytetarët kanë të drejtë të presin rezultate:
- 48 orë për identifikimin e autorëve?
- 48 ditë për arrestimet e para?
- Apo t’i kalojmë direkt në afatin e zakonshëm: 48 muaj pritje që harrohet në mes?
Sepse pa arrestime, fraza “profesionale” mbetet vetëm pjesë e marketingut institucional, jo e realitetit të përgjakur që qytetarët përballojnë çdo muaj.
Dhjetori sapo nisi. A do të jetë ndryshe?
Me ritmin që ka marrë kriminaliteti dhe ritmin që ka marrë PR-i i Policisë, dhjetori rrezikon të na gjejë sërish me dy Shqipëri paralele:
- Shqipërinë ku krimi vepron me saktësi ushtarake
- Dhe Shqipërinë ku institucionet fotografohen me saktësi ceremoniale
Dhe mes tyre, qytetari që pret të paktën një herë përgjigjen e duhur: kapjen e autorëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



