Gjykata në Bosnje, rrëzon përgjimet SKY ECC si prova në gjyq
Gjykata Kantionale e Tuzlës në Bosnje-Hercegovinë ka marrë një vendim precedental që pritet të ndikojë direkt në qindra dosje penale në rajon. Në çështjen 03OK019233 K3, gjykata rrëzoi plotësisht përdorimin e komunikimeve të platformës së enkriptuar SKY ECC si provë në proces, duke goditur një praktikë që ka qenë themeli i hetimeve kundër krimit të organizuar në Ballkan vitet e fundit.
Sipas vendimit, provat e siguruara përmes SKY ECC nuk plotësojnë kushtet minimale të transparencës dhe ligjshmërisë, pasi:
• mungon çdo dokument që tregon kush, kur, dhe me çfarë autorizimi ka kryer përgimet;
• të dhënat nuk janë verifikueshme nga mbrojtja;
• operacioni i dekriptimit dyshohet se ka qenë survejim masiv, jo përgjim i synuar;
• materiale të tilla cenojnë nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton gjykim të drejtë dhe kontradiktor.
Gjykata kërkon gjithashtu sqarim nëse të dhënat SKY janë prova të autentike, apo thjesht traza të papërpunuara informacioni të siguruara nga shërbime inteligjente të paidentifikuara, pa zinxhir të qartë ruajtjeje dhe administrimi.
Çfarë nënkupton kjo?
Ky vendim mund të krijojë efekt domino në gjithë Ballkanin, duke sfiduar qindra procese gjyqësore të ngritura mbi bazën e komunikimeve të deshifruara nga aplikacionet e koduara si SKY, ANOM, ose platforma të tjera të ngjashme. Për herë të parë, një gjykatë e rangut të lartë në rajon thotë qartë se:
Nuk mund të ketë dënime bazuar vetëm te të dhëna të mbledhura në mënyrë të paqartë dhe të pamundur për t’u verifikuar.
Reagimi nga Tirana, Manjani godet me ironi: “Gjykatat tona janë si bufi”
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, reagoi menjëherë pas vendimit duke e cilësuar si konfirmim të argumenteve që ai dhe avokati Gurali Brahimllari kanë paraqitur në gjykatat shqiptare prej 2 vite e gjysmë.
“Hej dreq o punë! Flasim ne këtu e na dëgjojnë komshinjtë.
Rrezimin e SKY ECC, gjykata e Bosnjes e ka bërë fiks me argumentet që kemi sjellë në Shqipëri.
Ore thuaju ti se janë përgjime masive, nuk dihet nga vijnë, janë të papërdorshme, jo autentike… Por hiç! Gjykatat tona janë si bufi,” – shkruan Manjani.
Pse ky vendim është kaq i rëndësishëm?
• Precedent ligjor për rajonin
• Mund të çojë në rishqyrtim dosjesh ku dënimet janë bazuar vetëm në SKY
• Vendos standard të ri në raport me provat e inteligjencës teknologjike
• Hap debatin mbi privacinë, survejimin masiv dhe të drejtat e të pandehurve
Nëse ky standard pranohet edhe në vende të tjera, epoka e dënimeve të bazuara vetëm mbi mesazhe të enkriptuara mund të jetë drejt fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



