Eldi Dizdari ekstradohet nga Dubai drejt Belgjikës
njohur edhe si Denis Matoshi dhe me pseudonimet “Alduth” e “Shqiptari i Gjatë”, 37-vjeçari është transferuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës. Ai është dërguar në burg, ku do të vuajë dënimin prej 10 vitesh dhe do të përballet edhe me procedurat e tjera penale që lidhen me të.
Eldi Dizdari, një prej emrave të përmendur në hetimet belge për trafikun ndërkombëtar të drogës, është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës. 37-vjeçari, i njohur gjithashtu si Denis Matoshi dhe me pseudonimet “Alduth” e “Shqiptari i Gjatë”, është transferuar menjëherë në një burg belg pas mbërritjes në vend.
Sipas raportimeve të mediave belge, autoritetet e konsiderojnë Dizdarin një prej drejtuesve të organizatës kriminale “Kompania Bello”. Ai ishte arrestuar në Dubai, pas një kërkese të autoriteteve belge, dhe qëndronte në Emiratet e Bashkuara Arabe prej rreth dy vitesh.
Ekstradimi i tij ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga Prokuroria e Antwerpit gjatë një seance gjyqësore. Pas përfundimit të procedurave në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dizdari u transportua me avion drejt Belgjikës, ku mbërriti në aeroportin ushtarak Melsbroek. Prej aty, ai u shoqërua drejtpërdrejt drejt burgut.
Dënimi me 10 vite burg dhe konfiskimi i 7.5 milionë eurove
Dizdari është dënuar këtë vit nga gjykata në Antwerp me 10 vite burg dhe një gjobë prej 80 mijë eurosh, në kuadër të dosjes së njohur si “Yaramis”.
Sipas vendimit gjyqësor dhe pretendimeve të autoriteteve belge, ai kishte një rol drejtues në aktivitetin e trafikut të drogës që ishte objekt i hetimit. Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e 7.5 milionë eurove, të cilat i konsideroi të ardhura nga aktiviteti kriminal që i atribuohet Dizdarit.
Sipas hetimeve, pasi grupi “Yaramis” humbi pozicionet e tij në portin e Antwerpit, si pasojë e konflikteve të brendshme dhe ndërhyrjes së autoriteteve, Dizdari dyshohet se krijoi një bashkëpunim me Omar Govers dhe Najim E.M.
Prokuroria belge pretendon se ata koordinuan veprimet për nxjerrjen e ngarkesave me kokainë nga kalatat 1700 dhe 1742 të portit të Antwerpit.
Përfshirja në një tjetër dosje dhe 1.75 milionë eurot
Emri i Eldi Dizdarit del edhe në një tjetër hetim ku përfshihet Omar Govers.
Sipas raportimeve të mediave belge, komunikimet e zbërthyera nga platforma e koduar Sky ECC dyshohet se tregojnë se persona të lidhur me Govers kanë kryer dy transporte parash në favor të Dizdarit gjatë viteve 2020 dhe 2021.
Shuma e përgjithshme e këtyre transfertave dyshohet të ketë arritur në 1.75 milionë euro.
Për shkak se procesi që lidhej me Dizdarin ishte veçuar nga procedurat e tjera, çështja pritet të trajtohet pas ekstradimit të tij, në mënyrë që ai të jetë fizikisht i pranishëm gjatë gjykimit.
Reagon ministrja belge e Drejtësisë
Mbërritja e Dizdarit në Belgjikë u konfirmua edhe nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, e cila vlerësoi bashkëpunimin me Emiratet e Bashkuara Arabe për realizimin e ekstradimit.
“Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, ne po tregojmë se nuk ka strehë të sigurta për kriminelët e drogës”, deklaroi Verlinden.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



