Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi se kryeministri Edi Rama “nuk është ndalur asnjë ditë” së sulmuari drejtësinë, ndërsa theksoi se vendi po kalon një moment kritik në luftën kundër korrupsionit.
Sipas Shehajt, ndërsa të korruptuarit po dalin para drejtësisë, mazhoranca po përpiqet të ushtrojë presion mbi institucionet e drejtësisë, ndërsa opozita sipas tij mbetet pa strategji dhe pa drejtim të qartë.
“Shqipëria po kalon momente të rëndësishme. Shoqëria është entuziaste, por kemi një mazhorancë që përpiqet të kontrollojë drejtësinë dhe një opozitë pa një strategji të përbashkët. Ka ardhur momenti të ulemi. Kjo është ftesë për të gjitha partitë opozitare, aktivistë, pedagogë dhe qytetarë që janë me drejtësinë dhe kundër korrupsionit. Duhet të vendoset: me drejtësinë apo me të korruptuarit”, u shpreh Shehaj.
Ai theksoi se prioritet duhet të jetë mbrojtja e drejtësisë nga presioni që sipas tij vjen nga mazhoranca, duke nënvizuar se kryeministri “çdo ditë e sulmon drejtësinë”.
“SPAK sulmohet nga analistë të lidhur me pushtetin”
Gjatë intervistës në News 24, Shehaj foli edhe për sulmet ndaj SPAK, duke thënë se një pjesë e analistëve që shfaqen publikisht si të pavarur janë, sipas tij, “të dërguar të mazhorancës”.
“Sulmet ndaj SPAK vijnë edhe nga analistë që vishen si të paanshëm, por janë zgjatim i mazhorancës. Nga njëra anë sulmojnë drejtësinë, nga ana tjetër fajësojnë qytetarët. Por nëse qytetarët nuk protestojnë me PD, pse duhet ta bëjnë? Që të bëjnë kryeministër Berishën? Pse një djalë i ri duhet t’i bashkohet PD-së në këto kushte?”, tha Shehaj.
Ai shtoi se opozita duhet të pyesë veten se çfarë ofron dhe nëse është realisht frymëzuese për qytetarët, ndërsa theksoi se Partia “Mundësia” po punon për opozitarizëm aktiv në media, parlament dhe protesta.







