E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralajmërim serioz për rreziqet e fillerëve në fytyrë
Lajme

Paralajmërim serioz për rreziqet e fillerëve në fytyrë

Nga deformimi, deri te verbëria

Ekspertët e mjekësisë estetike dhe radiologjisë kanë ngritur alarmin për rreziqet potencialisht fatale që lidhen me përdorimin e fillerëve në fytyrë, procedura këto gjithnjë e më të përhapura për qëllime estetike, si reduktimi i rrudhave apo ndryshimi i formës së hundës dhe buzëve.

Sipas doktoreshës Rosa Sigrist, ndonëse këto komplikime konsiderohen të rralla, të ashtuquajturat “okluzione vaskulare”, bllokime të enëve të gjakut që ndodhin kur filler-i injektohet brenda ose shumë pranë një ene gjaku, mund të kenë pasoja shkatërruese nëse nuk trajtohen me urgjencë. Në raste të tilla, mungesa e qarkullimit të gjakut mund të çojë në vdekje të indeve, deformime të përhershme të fytyrës dhe, në rastet më të rënda, edhe në verbëri apo sulm në tru.

Zona rreth hundës konsiderohet veçanërisht e rrezikshme, pasi enët e gjakut në këtë pjesë lidhen drejtpërdrejt me struktura shumë të rëndësishme të kokës dhe trurit. Çdo dëmtim i tyre mund të shkaktojë komplikime të rënda neurologjike dhe dermatologjike.

Një studim i realizuar nga ekipi i doktoreshës Sigrist në Universitetin e São Paulos ka analizuar 100 raste komplikimesh vaskulare të ndodhura pas injektimeve me filler në qendra të ndryshme mjekësore në Brazil, Kolumbi, Kili, Holandë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë periudhës maj 2022 – prill 2025. Rezultatet pritet të prezantohen në takimin vjetor të Shoqatës Radiologjike të Amerikës Veriore.

Sipas të dhënave, në gati gjysmën e rasteve, ultrazëri ka treguar mungesë të qarkullimit të gjakut në enët e vogla që lidhin arteriet sipërfaqësore me ato të thella të fytyrës. Ndërsa në rreth një të tretën e rasteve, bllokimi kishte prekur edhe enë më të mëdha të gjakut, duke rritur ndjeshëm rrezikun për pasoja të pakthyeshme.

Për të shmangur këto rreziqe, ekspertët rekomandojnë që klinikat estetike të përdorin ultrazërin para injektimit, për të planifikuar saktësisht vendin dhe thellësinë e ndërhyrjes. Në rast komplikimesh, ultrazëri mund të ndihmojë edhe në drejtimin e trajtimit emergjent.

Raportime të ngjashme janë publikuar edhe nga BBC, e cila thekson se rritja e ndërhyrjeve estetike pa standarde të forta sigurie përbën një rrezik real për shëndetin publik.

Ky paralajmërim rikthen në vëmendje nevojën për rregullim më të fortë të klinikave estetike, informim të plotë të pacientëve dhe ndërhyrje vetëm nga profesionistë të kualifikuar, pasi një procedurë që shihet si “estetike” mund të përfundojë me pasoja dramatike për jetën dhe shëndetin e njeriut.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.