Berisha godet të tijët: Ka demokratë që hanë turpin me bukë!
“Kush flirton me qeverinë për kontrata, s’ka vend në PD”
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda PD-së, pas debateve të forta të shënuara një ditë më parë në mbledhjen e Kryesisë, ku u përfshinë Ervin Salianji dhe Flamur Noka.
I pyetur nga një qytetar që i kërkoi të “ulë gjakrat”, Berisha reagoi ashpër, duke deklaruar se brenda radhëve të demokratëve ka individë që, sipas tij, kanë humbur çdo parim politik. Ai tha se pas zgjedhjeve ka pasur persona që janë shkëputur nga opozita dhe janë punësuar në administratën shtetërore, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të afrohen me qeverinë për interesa personale dhe kontrata.
Sipas Berishës, Partia Demokratike nuk mund dhe nuk do të pranojë asnjë kompromis të tillë. Ai theksoi se PD ka vetëm një kontratë, atë me qytetarët shqiptarë, për mbrojtjen e demokracisë, familjes dhe votës së lirë.
Kreu i PD-së u shpreh se mbledhja e Kryesisë ka qenë e rëndësishme dhe konstruktive, duke mohuar kategorikisht ekzistencën e një përçarjeje brenda partisë. Ai theksoi se dallimet dhe debatet janë të natyrshme në një forcë politike që synon ndryshimin, por se qëllimi final mbetet i pandryshuar.
Berisha nuk kurseu kritikat ndaj atyre që, sipas tij, janë kthyer në zëdhënës të kryeministrit Edi Rama, duke mashtruar dhe manipuluar opinionin publik. Ai deklaroi se ka individë që kanë vepruar hapur në favor të Partisë Socialiste dhe deputetëve të saj, madje duke dalë edhe kandidatë kundër PD-së në zgjedhjet lokale në Tiranë.
“Janë fals dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet tona”, u shpreh Berisha, duke shtuar se kjo është një fazë vendimtare për opozitën. Ai e përmbylli mesazhin duke theksuar se Partia Demokratike ndodhet në “kohën e misionarëve”, ku kërkohet përkushtim, integritet dhe besnikëri ndaj kauzës opozitare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



