Shkatërrohet banda kriminale e drejtuar nga gjyshja 96-vjeçare
Një rrjet kriminal i strukturuar, i specializuar në vjedhje, mashtrime dhe pastrim parash, është goditur nga autoritetet italiane pas një hetimi të gjatë që zbuloi një skemë të sofistikuar mashtrimi ndaj të moshuarve, përmes paraqitjes si karabinierë.
Operacioni, i udhëhequr nga Komanda Provinciale e Milanos dhe i koordinuar nga Prokuroria, çoi në ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj 21 personave: një u ndalua, gjashtë u dërguan në burg dhe 14 të tjerë u vendosën në arrest shtëpiak. Arrestimet u kryen më 11 dhjetor dhe janë rezultat i hetimit të koduar “Altro Mondo”, i nisur që në vitin 2023.
Sipas autoriteteve, grupi kriminal kishte zhvilluar një metodë të përsëritur veprimi. Objektiv i tyre ishin kryesisht të moshuarit, të cilët ndiqeshin deri në banesë dhe më pas përballeshin nga persona që paraqiteshin si karabinierë, duke u treguar distinktivë të rremë. Pasi fitonin besimin e viktimave, ata hynin në shtëpi dhe brenda pak minutash grabisnin para, bizhuteri dhe sende me vlerë, duke i lënë të moshuarit të çoroditur dhe të paaftë për të reaguar.
Bizhuteritë e vjedhura transportoheshin më pas jashtë Italisë, shpesh duke përdorur një automjet kampingu për të shmangur dyshimet. Pastrimi i sendeve të vjedhura realizohej përmes një rrjeti dyqanesh bizhuterish dhe blerësish ari, me shtrirje ndërkombëtare.
Hetimi u mbështet edhe nga bashkëpunimi mes autoriteteve të disa vendeve dhe çoi në identifikimin e një grupi me origjinë sinti, i cili kishte bazën logjistike në zonën Muggiano të Milanos. Sipas të dhënave zyrtare, anëtarët e këtij grupi lidhen me të paktën 12 vjedhje, 10 prej të cilave të kryera duke u shtirur si karabinierë, si edhe me 15 raste të marrjes së mallrave të vjedhura, tetë episode pastrimi parash dhe dy raste vetëpastrimi, të kryera mes Italisë, Zvicrës dhe Belgjikës.
Dëmi ekonomik i shkaktuar nga aktiviteti kriminal vlerësohet rreth 2.5 milionë euro. Gjatë kontrolleve, të shtrira edhe në territorin zviceran me ndihmën e autoriteteve doganore, u sekuestruan dhjetëra mijëra euro cash, ora luksoze, shufra ari, çanta dore dhe bizhuteri, si edhe pajisje komunikimi, skanerë dhe dy pistoleta pa fishekë. Më herët, hetuesit kishin sekuestruar edhe rreth 15 mijë euro cash dhe sende luksi me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Mes personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal ndodhet edhe një grua 96-vjeçare, e cila sipas hetuesve kishte rol aktiv në pranimin dhe menaxhimin e mallrave të vjedhura. Ajo konsiderohet si figura qendrore që administronte bazën logjistike të grupit në Muggiano.
Ndërkohë, dy shtetas italianë, 30 dhe 44 vjeç, rezultojnë të arrestuar për disa raste vjedhjesh në banesa të të moshuarve në Milano, Monza dhe Livorno, të lidhura me të njëjtën skemë kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



