Trafikuan qindra emigrantë, 19 persona dënohen me 104 vite burg
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për 23 anëtarët e dy grupeve kriminale të përfshira në trafikimin e emigrantëve të paligjshëm drejt Shqipërisë dhe më pas në vendet e Bashkimit Europian.
Në total, 19 persona janë dënuar me 104 vite burg, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur të pafajshëm, duke i shpëtuar akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Sipas hetimeve, rrjeti kriminal kishte organizuar hyrjen e paligjshme në Shqipëri të më shumë se 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, gjatë periudhës 2023 – prill 2024. Për këtë shërbim, emigrantët paguanin nga 6 mijë deri në 8 mijë euro, me synimin final për të kaluar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Pagesat realizoheshin kryesisht përmes sistemit informal “Hawala”, me transfertat që kryheshin në Dubai dhe më pas shpërndaheshin tek drejtuesit e rrjetit në Shqipëri.
Hetimet zbuluan një strukturë të organizuar në dy nivele. Një pjesë e grupit siguronte kontrata pune fiktive dhe dokumentacion për pajisjen me viza pune, ndërsa krahu tjetër merrej me transportimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt Kosovës, më pas në Serbi dhe në fund në vendet e Bashkimit Europian.
Sipas dosjes hetimore, vetëm në një periudhë gjashtëmujore, mbi 250 shtetas nga Bangladeshi kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj skeme. Ata regjistroheshin si të punësuar në fasoneri apo biznese të ndryshme, ndërsa në realitet synimi ishte kalimi drejt Europës Perëndimore.
Në qendër të hetimit ka qenë biznesmeni Endri Seiti, i konsideruar nga SPAK si një nga organizatorët kryesorë të skemës, i cili përdorte aktivitetin dhe lidhjet e tij për të siguruar kontrata pune fiktive. Një tjetër figurë kyçe është identifikuar Luan Tafalla, i cili priste shtetasit e huaj në aeroportin e Rinasit dhe organizonte akomodimin e tyre.
Më tej, emigrantët kalonin në duart e rrjetit të transportit të drejtuar nga Luan Sulaj, i cili sipas prokurorisë koordinonte lëvizjen e tyre drejt kufirit me Kosovën përmes një grupi që vepronte në zonën e Kukësit.
Përgjimet e kryera gjatë hetimeve kanë dokumentuar edhe takime të drejtpërdrejta mes anëtarëve të grupit. Në shtator 2023, disa prej tyre janë takuar në një restorant për të koordinuar aktivitetin kriminal, ndërsa të tjerë siguronin kontrata qiraje dhe adresa fiktive për të justifikuar qëndrimin e emigrantëve në Shqipëri.
Vendimi i GJKKO parashikon dënimet më të rënda për Endri Seitin dhe Luan Tafallën, të cilët u dënuan me nga 12 vite burg secili, të reduktuara në 8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Pjesa më e madhe e të pandehurve të tjerë kanë marrë dënime nga 5 deri në 10 vite burg, të ulura më pas me një të tretën.
Katër persona janë shpallur të pafajshëm dhe për ta janë shuar të gjitha masat e sigurisë.
Operacioni i SPAK kishte çuar fillimisht në arrestimin e 24 personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Në këtë dosje rezultojnë të përfshirë edhe efektivë policie, çka e bën këtë çështje një nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e trafikut të emigrantëve.
Sipas prokurorisë, grupi kishte krijuar një korridor të mirëorganizuar për hyrjen dhe tranzitimin e emigrantëve të paligjshëm, duke përdorur dokumente fiktive, kompani private dhe rrjete transporti për të shmangur kontrollet kufitare.
Dënimet e dhëna nga GJKKO:
- Endri Seiti dhe Luan Tafalla dënohen me 12 vite burg, 8 vite me gjykim të shkurtuar.
- Endrit Ismailaj dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Arnold Shpata dënohet me 10 vite burg, 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.
- Altin Hasani dënohet me 2 vite e 6 muaj burg dhe lirohet nga qelia.
- Edmond Braha shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga qelia. Shuhet masa “arrest në burg”.
- Xhuljeta Çopa dënohet me 8 vite burg, 5 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
- Artur Mata dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Artan Sulaj shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga qelia.
- Luan Sulaj dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Emmanuel Delphin Assako dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Arba Hysenallari dënohet me 6 vite burg, 4 vite me gjykim të shkurtuar.
- Shkëlzen Matmuja dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Faik Matmuja dhe Bukurosh Muja dënohen me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Lulëzim Lami dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Tomë Preka dënohet me 10 vite burg, 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar.
- Xhuljo Krasniqi dënohet me 5 vite burg, 3 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
- Iglan Allici dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Edmond Baklli dënohet me 9 vite burg, 6 vite me gjykim të shkurtuar.
- Arjel Hoxha dënohet me 5 vite burg.
- Orkid Pijaneci dhe Ermal Hoxha shpallen të pafajshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



