A do mbrohet Mirlinda Karçanaj nga Rama, ashtu si Balluku?
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një nga goditjet më të forta ndaj korrupsionit institucional, duke lëshuar 8 masa sigurie ndaj shtetasve Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta dhe Erion Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte brenda dhe rreth AKSHI-t.
Sipas SPAK, grupi ka funksionuar përmes manipulimit të tenderëve publikë, përdorimit të faturave tatimore fiktive, transaksioneve të paligjshme dhe presioneve ndaj bizneseve konkurrente për t’i detyruar të tërhiqeshin nga procedurat e prokurimit.
Në qendër të hetimit ndodhet Ergys Agasi, i përshkruar prej vitesh si një figurë me ndikim të padukshëm, por vendimtar. Me dalje publike minimale, Agasi konsiderohet nga burime të shumta si “eminenca gri” që ka ndërmjetësuar interesa ekonomike dhe politike në nivelet më të larta të pushtetit.
Hetimet kanë zbuluar se brenda AKSHI-t ka funksionuar një strukturë kriminale e mirëorganizuar, ku përfshihen edhe drejtues të lartë të institucionit. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi janë vënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nën dyshimin se kanë favorizuar kompani të paracaktuara përmes kritereve të personalizuara, në kundërshtim flagrant me ligjin për prokurimet publike.
Një nga episodet më të rënda të dosjes lidhet me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, i cili dyshohet se është marrë peng nga persona të veshur me uniforma policie dhe është detyruar të tërhiqet nga tenderët e AKSHI-t, duke i hapur rrugë kompanive të lidhura me grupin kriminal.
SPAK konfirmon se anëtarët e grupit kanë konsumuar veprën penale të “konkurrencës së paligjshme përmes dhunës”, duke ushtruar presion dhe kërcënime për të eliminuar ankimet dhe konkurrencën reale në tenderë shumë milionë eurosh.
Tenderët kryesorë të AKSHI-t rezultojnë të jenë përfituar nga kompanitë e Ermal Beqirit, i cili zotëron të paktën 11 shoqëri tregtare dhe ka qenë përfitues i vazhdueshëm i fondeve publike nga institucioni i drejtuar nga Karçanaj.
Dilema politike e Ramës: Karçanaj si Balluku?
Përtej aspektit penal, çështja e AKSHI-t hap edhe një pyetje të fortë politike:
A do të veprojë Kryeministri Edi Rama ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, apo do të ndjekë të njëjtin model mbrojtjeje që ka aplikuar për zëvendëskryeministren Belinda Balluku?
AKSHI është një institucion që varet drejtpërdrejt nga Kryeministria, administron sisteme dhe të dhëna sensitive të shtetit dhe ka rol kyç në funksionimin e administratës publike. Në këtë kontekst, çdo vendim për të mos shkarkuar drejtuesen e tij, pavarësisht masës së sigurisë të vendosur nga SPAK, do të lexohej si mbrojtje politike, jo si respekt për parimin e prezumimit të pafajësisë.
Precedenti ekziston. Në rastin e Belinda Ballukut, Kryeministri Rama zgjodhi jo vetëm të mos distancohej politikisht, por edhe të çonte çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke ngrirë efektet e vendimmarrjes, madje edhe më tej pasi SPAK-u kërkoi nga Kuvendi heqjen e imunitetit të zëvëndëskryeministes, duke dërguar një sinjal të qartë se besnikët e tij politikë mbrohen deri në fund.
Nëse e njëjta qasje do të ndiqet edhe për Mirlinda Karçanajn, kjo do të forconte perceptimin publik se standardet e drejtësisë dhe përgjegjësisë politike ndryshojnë në varësi të afërsisë me Kryeministrin, ndërsa lufta kundër korrupsionit mbetet selektive.
Ndërkohë, SPAK vijon hetimet, të cilat pritet të shkojnë përtej kësaj faze, pasi bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal, një vepër që rrallë mbyllet pa emra të tjerë dhe pa përgjegjësi në nivele më të larta.
Afera e AKSHI-t duket gjithnjë e më shumë si maja e një ajsbergu, ku përplasja mes drejtësisë dhe pushtetit politik sapo ka nisur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



