Paralajmërimi: ka mbetur i vetëm, janari sjell ‘prerje kokash’!
Analisti Arjan Curri ka komentuar kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, hap që sipas tij synon t’i hapë rrugë arrestimit të saj. Curri e ka cilësuar këtë zhvillim si një vendim tërësisht politik.
Sipas Currit, SPAK nuk mund të shkëputet nga politika, pasi ka edhe një politikë penale të vetën, ndërsa në rastin e Belinda Ballukut, Prokuroria e Posaçme ka vepruar qartësisht me motive politike.
“SPAK ka edhe politikën penale, nuk e nxjerrim dot nga politika SPAK-un. Në rastin e Belindës SPAK u tregua politik. Kjo ndodh kudo. Politika do vazhdojë sepse SPAK ka instrumentet e tij dhe qeveria të saj. SPAK ia dha kohën Ballukut, por ajo nuk u tërhoq. Ideja është që kryeministri nuk e dinte që pas asaj fitoreje me GJK-në do t’i vinte kjo. E dinte,” u shpreh Curri.
Analisti parashikon përplasje të fortë mes SPAK-ut dhe qeverisë, duke e cilësuar situatën si një “spiralë lufte”, ku sipas tij, do të shihet se kush do të dorëzohet i pari.
“Unë besoj që do t’i futemi një spiraleje lufte se kush do dorëzohet i pari. SPAK do të vazhdojë ta ndajë atë telefon në shumë nënçështje dhe për çdo çështje Prençi mund të kërkojë shumë masa. Mund të kërkojë edhe masë pezullimi Prençi, për shembull për Lotin 3. Rëndësi ka që Prençi do e çojë 20 herë në Gjykatë,” tha Curri.
Ai ngriti edhe pikëpyetje mbi reagimin e kryeministrit Edi Rama në këtë situatë, duke theksuar se çdo zgjedhje e tij do të ketë kosto politike.
“Çfarë do bëjë Rama? Si del Rama? Del keq nëse do e bëjë mbrojtjen e Ballukut. Del më keq akoma po ta mbrojë,” tha analisti.
Në përfundim, Curri u shpreh se kryeministri Rama ka mbetur i vetëm në qeverisje dhe nuk ka më figura me të cilat mund të ndajë barrën politike, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime në kabinet pas janarit.
“Rama ka ngelur i vetëm tani, pa pasur asnjë person më të cilin mund ta qeverisë. Në janar mund të bëjë një rifreskim të qeverisë,” përfundoi Curri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



