“Ia ka premtuar atij”, Shehaj kërkon që Rama të merret i pandehur

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas publikimit të përgjimeve të reja në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, ku në komunikimet mes zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ish-zyrtarit Evis Berberi përmendet drejtpërdrejt emri i kryeministrit Edi Rama, si person që ka ndërhyrë në përcaktimin e fituesit të një tenderi.

Përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Shehaj ka kërkuar që kreu i qeverisë të merret i pandehur dhe të përballet me drejtësinë, duke argumentuar se përmbajtja e përgjimeve e përfshin Ramën në vendimmarrjen për tenderat publikë.

Në reagimin e tij, Shehaj ka publikuar edhe pjesë nga bisedat e transkriptuara mes Ballukut dhe Berberit, ku sipas tij del qartë se zv.kryeministrja i referohet kryeministrit Rama, teksa i kërkon shpjegime vartësit të saj në Autoritetin Rrugor Shqiptar lidhur me një procedurë tenderimi.

Në një nga fragmentet e cituara, Balluku shprehet: “Ti e ke hapur këtë tenderin për të cilin ky thotë që ka rënë dakord me Ramën?”, ndërsa Berberi përgjigjet pohueshëm, duke shtuar se bëhej fjalë për një tender të madh, i ndarë në disa lote.

Sipas Shehajt, këto përgjime përbëjnë prova të qarta që komprometojnë drejtpërdrejt kryeministrin. Ai thekson se nga përmbajtja e tyre rezulton se vendimet për fituesit e tenderave nuk merren nga institucionet përgjegjëse, por nga vetë kreu i qeverisë.

“Këto janë përgjimet që tregojnë se kush vendos realisht për tenderat. Nuk janë as ministrat, as zyrtarët, por Edi Rama. Çdo gjë tjetër është thjesht teatër”, shprehet Shehaj në deklaratën e tij.

Duke iu referuar dosjes së SPAK, kreu i Partisë Mundësia nënvizon se komunikimet mes Ballukut dhe Berberit tashmë kanë përfshirë edhe kryeministrin, duke ngritur dyshime serioze për mënyrën se si u janë shpërndarë kontratat publike biznesmenëve pranë qeverisë.

Sipas tij, pas zhvillimeve të fundit, është e qartë se çështja nuk mund të ndalet vetëm te zv.kryeministrja Balluku. “Radha për t’u përballur me drejtësinë tani është e Edi Ramës”, deklaron Shehaj, duke kërkuar që kryeministri të merret i pandehur dhe të japë llogari para organeve të drejtësisë.

Reagimi i plotë:

Donit përgjimet ku del vetë Edi Rama?
Ja ku i keni
Këto janë përgjimet e SPAK-ut, ku del që vendimet i merr Edi Rama
Belinda Balluku duke folur me Berberin i thotë tekstualisht:
“Për këtë flet ky se ka rënë dakort me Ramën”
Praktikisht i kërkon llogari Berberit, i thotë: “Ti e ke hapur këtë tenderin për të cilin ky thotë që ka rënë dakort me Ramën?”
“Po” i thotë Berberi.
“Po si është e mundur që unë nuk di gjë?”.
“Por”,- thotë Berberi “se ishte një tender i madh, e ndava në shumë pjesë që të merrnin të gjithë”.
Këto janë përgjimet që përfshijnë Edi Ramën.
Këto janë përgjimet që kompromentojnë Edi Ramën.
Këto janë përgjimet që tregojnë që vendimet për tenderat nuk i merr as Belinda Balluku, as Berberi, por i merr vetë Edi Rama.
Çdo gjë tjetër është thjesht një teatër. Nuk ka rëndësi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë rëndësi kriteret, nuk kanë rëndësi renditja sipas pikëzimeve, nuk ka rëndësi se cila është oferta më e mirë që qytetarët shqiptarë të harxhojnë sa më pak për ndërtimin e rrugëve.
E rëndësishme është që Edi Rama të vendosë se kush prej biznesmenëve që janë afër tij të marrë paratë, të fitojë tenderat.
Kjo është e vërteta.
Tani është e qartë që Belinda Balluku ka ikur, nuk e shpëtojnë dot më, por tani radhën e ka Edi Rama. Edi Rama duhet të merret i pandehur, duhet të dalë përpara drejtësisë!

Publikuar nga Publik Media