E konfirmon Rama, “Tik Tok” rikthehet në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk do të zgjasë ndalimin njëvjeçar të rrjetit social TikTok. Ai bëri me dije se qeveria ka arritur një partneritet me platformën dhe se së shpejti do të prezantojë publikut shqiptar masat e reja mbrojtëse.
“Jemi të kënaqur me rezultatin. E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim të prezantojmë planin për publikun shqiptar, siç e premtuam,” tha Rama, duke shtuar se ishte befasuar nga reagimi i TikTok pas vendimit fillestar për ndalim.
Kreu i qeverisë shtoi se, në fillim, ishte e pritshme të mendohej se platforma do të kundërshtonte vendimin, por ai u impresionua nga qëndrimi i TikTok, i cili dëgjoi me kujdes pikat e qeverisë shqiptare.
Rama pranoi se ndalimi nuk ka zgjidhur plotësisht problemin e dhunës në shkolla, por ka ndihmuar në vendosjen e mekanizmave të rinj mbrojtës në bashkëpunim me TikTok. Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë e vendosjes së kufizimeve të përgjithshme për mediat sociale për të miturit, duke i quajtur joefektive, dhe riafirmoi synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
“Këto janë budallallëqe. Nuk funksionon. Nëse nuk ke një zbulim të plotë se kush fshihet pas këtyre sulmeve, do të jesh gjithmonë viktimë e trollëve dhe robotëve,” theksoi ai.
Vendimi për ndalimin e TikTok u mor në mars të vitit 2025 pas një viti bisedimesh mbi abuzimin online. Ngjarja tronditëse e goditjes me thikë të Martin Canit jashtë një shkolle në Tiranë ishte ngjarja që nxiti masën e qeverisë, duke urdhëruar ofruesit e internetit të bllokojnë aksesin në versionet desktop dhe aplikacionet e platformës.
Megjithatë, vendimi shkaktoi reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe organizatat joqeveritare, të cilat e akuzuan qeverinë për censurë dhe për kufizimin e lirisë së shprehjes në internet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



