Prokuroria e Vlorës konfiskon mbi 2 milionë euro pasuri
Dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, janë konfiskuar pasuri me vlerë mbi 2 milionë euro të shtetasit R.Z., i akuzuar dhe shpallur fajtor për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Vendimi u mor në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 1922, të vitit 2019, ku gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe e deklaroi fajtor R.Z. për shkelje të nenit 287, pikat (a), (b) dhe (c) të Kodit Penal.
Fillimisht, i pandehuri u dënua me 7 vite burgim, por në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke u konvertuar përfundimisht në 4 vite e 8 muaj burg.
Paralelisht me dënimin penal, gjykata vendosi konfiskimin e një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Pasuritë e konfiskuara janë:
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Njësi”, me nr. 54/9-19, me sipërfaqe totale prej 70 m², vol. 31, fq. 87, zona kadastrale 8605, e ndodhur në Vlorë, në pronësi të shtetasit R.Z.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Njësi”, me nr. 54/9-18, me sipërfaqe totale prej 50 m², vol. 31, fq. 86, zona kadastrale 8605, e ndodhur në Vlorë, në pronësi të shtetasit R.Z.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Apartament”, me nr. pasurie 49/41 + 1-1, vol. 31, fq. 180, me sipërfaqe prej 159 m², e ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Tokë arë”, me nr. pasurie 105/13, vol. 2, fq. 19, me sipërfaqe prej 5 000 m², zona kadastrale 2838, në bashkëpronësi të shtetasve S.Z., L.Z., E.Z., R.Z., V.Z. etj.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Truall”, me nr. pasurie 49/41-T, me sipërfaqe prej 105 m², vol. 34, fq. 117, zona kadastrale 8605, e ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z. dhe A.M.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Apartament”, me nr. pasurie 49/41 + 1-2, me sipërfaqe prej 171 m², vol. 31, fq. 191, zona kadastrale 8605, lagjja “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z. dhe A.M.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Bodrum”, me nr. pasurie 49-41-B, me sipërfaqe prej 181 m², vol. 31, fq. 179, zona kadastrale 8605, lagjja “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z. dhe A.M.;
– Pasuri e paluajtshme “Shtesë 4-katëshe”, e ndërtuar mbi bazën e lejes së ndërtimit nr. 2/446, datë 28.09.2011, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z. dhe A.M.;
– Automjet i markës BMW, modeli GM730D, në pronësi të shtetasit R.Z.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, konfiskimi i këtyre pasurive synon goditjen e përfitimeve ekonomike të krijuara nga veprimtaria kriminale dhe forcimin e luftës kundër pastrimit të parave, duke i kaluar asetet e paligjshme në favor të shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



