Donin të hiqnin Ramën, por hoqën Salianjin nga “WhatsApp-i”!
Protesta kombëtare e opozitës, e zhvilluar mbrëmjen e së hënës në bulevardin përpara Kryeministrisë, ka nxitur reagime të shumta jo vetëm nga politika, por edhe nga analistë dhe gazetarë. Një nga zhvillimet që ka tërhequr vëmendje ishte largimi i ish-deputetit Ervin Salianji nga grupi i WhatsApp-it të kryesisë së Partisë Demokratike, menjëherë pas përfundimit të protestës.
Salianji ishte i pranishëm në tubimin e opozitës, ku dha edhe deklarata publike duke theksuar se do të vijojë të jetë pjesë e PD-së, pavarësisht qëndrimeve zyrtare nga selia blu. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se Salianji ishte “vetëpërjashtuar”.
Ky episod është komentuar me ironi nga gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan:
“U nisën të heqin Ramën, por si fillim hoqën Salianjin nga… grupi i WhatsApp-it!”
Protesta e opozitës, e paralajmëruar disa ditë më parë, u mbajt me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi u shoqërua me tensione dhe incidente pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, kur protestuesit u përplasën me forcat e policisë dhe hodhën molotovë drejt godinës së Kryeministrisë.
Ky aksion erdhi pas deklaratave të forta të Berishës, i cili paralajmëroi nisjen e një faze të re të përballjes politike kundër qeverisë. Kreu i PD-së nuk përjashtoi as forma të tjera të aksionit opozitar, përfshirë iniciativa paralele dhe veprime ekstreme si ngujimi.
Partia Demokratike ka deklaruar se do të vijojë me një seri protestash kombëtare, duke e lidhur aksionin e saj me skandalet e fundit, hetimet e SPAK për çështje të mëdha infrastrukturore si tuneli i Llogarasë, Unaza e Re dhe dosja e AKSHI-t.
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë Rama, heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku, ngritjen e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



