CNN, Al Jazeera dhe Daily Mail, jehonë trazirave kundër Ballukut
Molotovë, përplasje dhe akuza për korrupsion, Shqipëria në fokusin e mediave botërore.
Protestat e zhvilluara në Parlament dhe në qendër të Tiranës, si edhe akuzat që rëndojnë ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kanë kaluar kufijtë e lajmit kombëtar dhe kanë tërhequr vëmendjen e mediave më të njohura ndërkombëtare.
Ngjarjet në Shqipëri janë pasqyruar edhe nga media amerikane CNN, e cila përmes një materiali të shpërndarë në rrjetet sociale evidenton se vala e protestave erdhi pas një periudhe të gjatë tensioni politik. Sipas raportimeve, situata është ndezur pas akuzave për korrupsion ndaj zv.kryeministres Balluku, duke kulmuar me përplasje të forta institucionale dhe protesta masive në rrugë.
Në vëmendje janë vënë edhe zhvillimet e fundit në Kuvend, ku tensionet mes mazhorancës dhe opozitës u shoqëruan me pamje të forta që u shpërndanë gjerësisht në mediat ndërkombëtare. Protestat jashtë Kryeministrisë, ku u hodhën mjete ndezëse, u interpretuan si kërkesë e drejtpërdrejtë për largimin e qeverisë, ndërkohë që në planin institucional vijojnë lëvizjet e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Situata ka qenë në fokus edhe të rrjetit ndërkombëtar Al Jazeera, i cili ka raportuar për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave antiqeveritare, përfshirë incidente të rënda ku persona u përfshinë nga flakët pas hedhjes së lëndëve djegëse. Sipas raportimeve, mijëra qytetarë u mblodhën përpara godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në protesta u pa edhe ish-kryeministri dhe lideri i opozitës, Sali Berisha.
Jehonë protestave u ka dhënë edhe tabloidi britanik Daily Mail, i cili ka transmetuar pamje nga tubimi i opozitës i mbajtur më 22 dhjetor. Media britanike thekson se mijëra protestues dolën në rrugë për të kundërshtuar qeverinë, duke përdorur mjete simbolike dhune si shenjë revolte ndaj asaj që e konsiderojnë korrupsion të përhapur.
Në qendër të raportimeve ndërkombëtare mbeten hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po përballet me akuza që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera, konkretisht në projektin e Tunelit të Llogarasë dhe segmentet e Unazës së Madhe, çështje që kanë nxitur reagime të forta politike dhe qytetare në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



