Kush po e godet Edi Ramën?!
Analisti Andi Bushati ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke vënë theksin te pasiguria që, sipas tij, ka përfshirë kryeministrin Edi Rama. Sipas Bushatit, Rama nuk e ka të qartë se kush janë aktorët realë që qëndrojnë pas presioneve dhe goditjeve ndaj qeverisjes së tij, çka e ka futur në një fazë pritjeje dhe kalkulimi.
Ai nënvizon se kjo periudhë është vendimtare për kreun e qeverisë, ose për të kuptuar se çfarë po ndodh realisht në prapaskenë, ose për të hapur negociata që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e pushtetit të tij.
Bushati thekson se në raport me Evropën nuk ka pasur ndryshime thelbësore. Mbështetja politike nga Bashkimi Europian dhe kryeqytetet kryesore evropiane vijon të mbetet e njëjtë, të paktën në pamje të jashtme. Ndryshe paraqitet situata në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vërehet një ftohje e qartë me administratën aktuale amerikane, një zhvillim që hap pikëpyetje serioze për ndikimet ndërkombëtare në politikën shqiptare.
Sipas analistit, pyetja kryesore nuk është thjesht nëse ka apo jo mbështetje nga Uashingtoni, por kush realisht po vepron dhe për çfarë qëllimi. Nëse pas forcimit të rolit të SPAK-ut qëndron administrata e re amerikane, atëherë lind dilema nëse kjo ndërhyrje shërben për interesin e shqiptarëve, për goditjen e korrupsionit dhe të një pushteti të konsumuar, apo nëse kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër për të rikapur kontrollin mbi institucionet shqiptare, të cilat më parë ishin të lidhura me aktorë dhe interesa të tjera ndërkombëtare.
Bushati solli në vëmendje edhe shembuj nga jashtë Shqipërisë, ku sipas tij struktura të drejtësisë, nën ndikim të agjencive të huaja, janë përdorur për të dobësuar figura kyçe politike dhe për të ndikuar në balancat e pushtetit. Në këtë kontekst, mbetet e paqartë nëse ajo që po ndodh në Shqipëri do të sjellë përmirësim real apo thjesht një kalim nga një problem në një tjetër.
Një tjetër element i rëndësishëm që analisti ngre është mungesa e votës së lirë. Sipas tij, sot pothuajse nuk ka më dilema se proceset zgjedhore në Shqipëri nuk reflektojnë vullnetin real të qytetarëve, duke e bërë të pamundur matjen e një mbështetjeje të ndershme popullore.
Në këtë situatë, lind edhe pyetja pse qytetarët nuk reagojnë përmes protestave. Bushati argumenton se në momentin që demokracia gërryhet gradualisht, dobësohet paralelisht edhe aftësia e shoqërisë për t’u mobilizuar. Kjo, sipas tij, nuk mund t’u faturohet automatikisht qytetarëve.
Ai shton se një rol të rëndësishëm në këtë apati e luan edhe perceptimi i krijuar rreth drejtësisë së re dhe SPAK-ut, të cilat u kanë dhënë njerëzve ndjesinë se nuk është më e nevojshme të kërkojnë të drejtat e tyre në rrugë, pasi dikush tjetër do ta bëjë këtë në emër të tyre. Sipas Bushatit, deri tani ky mekanizëm ka funksionuar më shumë si justifikim sesa si zgjidhje reale, duke ndjekur në shumicën e rasteve interesat e pushtetit.
Mbetet për t’u parë, përfundon ai, nëse kjo qasje do të vazhdojë edhe në të ardhmen apo nëse do të kemi një ndryshim real në mënyrën se si funksionon sistemi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



