Ervina Gjana, nyja mes call centerave kriminalë dhe Policisë së Shtetit
Lista e gjetur nga BKH
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e tenderave në AKSHI kanë zbuluar një tjetër pistë të rëndë hetimore, që lidh krimin e organizuar, call centerat kriminalë dhe struktura të Policisë së Shtetit. Në vendimet e Gjykatës së Posaçme për masat e sigurisë në dosjen AKSHI, dalin në pah dy emra të lidhur drejtpërdrejt me grabitjen e databazës TIMS më 2 gusht 2023.
Emërimi në ditën e grabitjes së TIMS
Një nga personazhet kryesore është Ervina Gjana, e cila u emërua Drejtoreshë e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike pikërisht më 2 gusht 2023, ditën kur databaza TIMS u kopjua nga ambientet e Policisë së Shtetit.
Në atë kohë, Ministër i Brendshëm ishte Taulant Balla, ndërsa Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku.
Sipas dosjes hetimore, brenda pak muajsh Gjana u shndërrua në një pikë kyçe lidhëse mes grupeve kriminale, call centerave dhe strukturave policore.
Dyshime për dekonspirim operacionesh
Materialet filmike të administruara nga SPAK përfshijnë komunikime ku Ergys Agasi përmend emrin e Ervina Gjanës gjatë paralajmërimeve për aksione policore. Hetuesit dyshojnë për dekonspirim operacionesh dhe shpërndarje të sekreteve hetimore, në bashkëpunim me struktura brenda Policisë së Shtetit.
SPAK dyshon se, së bashku me Ervin Muçën, Drejtor i IT-së në Policinë e Shtetit, Gjana ka qenë e përfshirë në kopjimin dhe nxjerrjen e të dhënave sensitive të TIMS.
Emërim në kundërshtim me ligjin
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu se emërimi i Ervina Gjanës është bërë në shkelje të ligjit, pasi ajo kishte formim në inxhinieri informatike, ndërkohë që drejtonte një strukturë hetimore penale, pa përmbushur kriteret ligjore për Policinë e Shtetit.
Civili që hyri në Polici ditën e krimit
Personazhi i dytë që del nga dosja është Klodian Mazari, civil i cili dyshohet se ka hyrë në ambientet e Policisë së Shtetit më 2 gusht 2023 dhe ka marrë pjesë në kopjimin e databazës TIMS. Mazari rezulton Kryetar i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave pranë AKSHI dhe person i afërt me Ermal Beqirin, biznesmen i shpallur në kërkim nga SPAK.
Lista sekrete e call centerave
Në kuadër të hetimit, BKH ka kryer kontrolle në banesën e Ervina Gjanës dhe bashkëshortit të saj, Renato Hristiç, ku janë sekuestruar telefona, kompjuterë, dokumente zyrtare, materiale hetimore dhe një listë me drejtuesit e call centerave kriminalë.
Sipas SPAK, këto struktura paguanin haraç mujor nga 10 deri në 100 mijë euro për mbrojtje policore, duke mashtruar qytetarë evropianë në shkallë të gjerë.
Katër dosje penale dhe rikthime të dyshimta
Ervina Gjana rezulton e përfshirë në katër dosje penale:
-
2014: kallëzim nga SHÇBA për vjedhje të një hard disku me të dhëna sekrete (çështja u pushua);
-
2 gusht 2023: grabitja e databazës TIMS;
-
Janar 2025: kallëzim i ri i pushuar;
-
Dhjetor 2025: sekuestrimi i pajisjeve nga SPAK.
Në nëntor 2024, Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda e caktoi Ervina Gjanën në krye të komisionit për përzgjedhjen e 48 shefave të komisariateve.
Hetimet vijojnë, ndërsa burime pranë SPAK bëjnë me dije se lista e sekuestruar pritet të çojë në një operacion të gjerë kundër call centerave kriminalë dhe ish-drejtuesve të Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




