Gazetari zbulon emrin: Ja kush është njeriu i Ergys Agasit në polici
“Është fiks aty ku bëhet gjëma”
Gazetari Ferdinand Dervishi ka deklaruar se biznesmeni Ergys Agasi mund ta ketë pasur të lehtë të largohet nga Shqipëria ose të fshihet brenda vendit, falë lidhjeve të tij me strukturat e Policisë së Shtetit.
Dervishi theksoi se një nga këto lidhje është drejtoresha e Krimit Kibernetik, Ervina Gjana.

“Drejtoresha e Krimit Kibernetik e sjellë nga Ergys Agasi që del në dosjen e AKSHI-t dhe atë të TIMS është ende në punë. Është fiks aty ku të bëhet gjëma. Ky njeri e ka fare të thjeshtë të ikë jashtë dhe e ka po aq të thjeshtë të qëndrojë në Shqipëri edhe për ca kohë, sa të kuptohen gjërat”, tha Dervishi.

Emri i Gjanës lidhet me dosjen e AKSHI. Në nisje të hetimeve për këtë çështje, SPAK i sekuestroi sendet personale, përfshirë celularin, tetë telefona të tjerë dhe dy laptopë, të cilët i përkisnin edhe bashkëshortit të saj, Renato Hristic, i njohur si shoqërues i biznesmenit Agasi.

Po ashtu, emri i saj është përmendur edhe në skandalin e TIMS të vitit 2023, kur u grabit databaza me të dhënat e Policisë së Shtetit. Në këtë rast u komprometuan informacione sensitive mbi hyrje-daljet e qytetarëve në pikat kufitare dhe dokumentet biometrike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



