Do e pësoni rëndë, alarmi nga policia: Kujdes me Whatsapp-in!
Policia e Shtetit ka ngritur alarmin për një valë të re mashtrimesh që po qarkullojnë në aplikacionin “WhatsApp”, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve të dyshimta që vijnë përmes kësaj platforme.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për mesazhe që paraqiten si kërkesa për votim në mbështetje të një personi të njohur, gjoja për përfitimin e një burse falas apo një çmimi të parë. Policia shpjegon se dërguesi i mesazhit shpesh është një kontakt i afërt, i cili dyshohet se ka rënë më herët pre e mashtrimit, duke bërë që mesazhi të përhapet automatikisht te lista e kontakteve të tij.
Qëllimi kryesor i kësaj skeme mashtruese është marrja e kontrollit të llogarisë “WhatsApp” të përdoruesit. Përmes lidhjeve të rreme, viktimat orientohen drejt faqeve të falsifikuara dhe nxiten të vendosin kode verifikimi, të cilat më pas përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë dhe për të vijuar mashtrimin.
Autoritetet theksojnë se kjo fushatë phishing përbën rrezik serioz për sigurinë e të dhënave personale dhe komunikimeve private, ndaj qytetarët duhet të jenë veçanërisht vigjilentë, edhe kur mesazhet vijnë nga persona të njohur.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia e Shtetit/ Paralajmërim për fushatë phishing në platformën “WhatsApp”. Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik paralajmëron qytetarët për qarkullimin e një fushate mashtruese (phishing) në platformën “WhatsApp”.
Këto mesazhe paraqiten si kërkesë për votim për çmimin e parë të një burse falas, në favor të një personi të afërt me dërguesin, i cili dyshohet se mund të ketë rënë më parë pre e këtij mashtrimi, duke sjellë më pas përhapjen e mesazhit te kontaktet e tij.
Mesazhet synojnë marrjen e kontrollit të llogarisë në aplikacionin “WhatsApp”, duke i drejtuar përdoruesit drejt faqeve të rreme dhe duke i nxitur të vendosin kode verifikimi, të cilat përdoren nga autorët për të përvetësuar llogarinë.
⚠️ Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve:
• Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, edhe kur mesazhi iu shkon nga kontakte të njohura;
• Të mos japin kode verifikimi, fjalëkalime apo të dhëna personale;
• Të aktivizojnë verifikimin me dy hapa (Two step verification) në aplikacionin “WhatsApp”;
• Të raportojnë çdo rast të dyshimtë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit po monitoron situatën dhe fton qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve që ofrojnë votime, çmime apo përfitime të menjëhershme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



