Avokati Arben Llangozi ka hedhur akuza të forta në drejtim të ish-drejtorit të ARRSH dhe KESH, Ergys Verdho, duke ngritur dyshime serioze për fshehje pasurie jashtë Shqipërisë. Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Llangozi pretendon se Verdho ka në pronësi pasuri me vlerë miliona euro në Greqi, të cilat dyshohet se janë regjistruar në emër të vëllait të tij, Andrea Verdho.
Sipas avokatit, bëhet fjalë për një skemë të njohur, ku familjarë përdoren si pronarë formalë për të shmangur deklarimin real të pasurisë dhe për të fshehur burimin e fondeve. Ai thekson se dokumente të siguruara nga autoritetet greke ngrejnë pikëpyetje mbi pronësinë reale të këtyre pasurive dhe mënyrën se si janë transferuar ndër vite.
Në reagimin e tij, Llangozi i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, konkretisht ILDKPKI-së dhe SPAK-ut, që të nisin verifikime të plota mbi deklarimet e pasurisë së ish-zyrtarit të lartë, burimin e të ardhurave dhe çdo element tjetër që mund të përbëjë shkelje të interesit publik apo konflikt interesi.
Sipas tij, rasti i Ergys Verdhos është një tjetër shembull që hedh dritë mbi mënyrën se si emërimet në institucionet publike shpesh nuk bazohen në integritet apo profesionalizëm, por në besnikëri politike dhe qarkullim të mbyllur emrash në poste kyçe shtetërore. Nëse dyshimet konfirmohen, çështja do të përbënte një precedent serioz për hetim institucional dhe transparencë publike.
Shënimi i avokatit Arben Llangozi:
Një tjetër rastësi me miliona euro të dyshuara se janë përfituara nga korrupsioni/Këtë herë ka ngrënë dardha drejtori i Rilindjes Ergys Verdho
Në Shqipëri, drejtuesit e institucioneve publike rrallëherë zgjidhen për profesionalizëm apo integritet. Më shpesh, emërimet duken si produkt i besnikërisë politike dhe i një rrotacioni të vazhdueshëm ku të njëjtët emra shfaqen herë në një institucion, herë në një tjetër. Sot energjia, nesër infrastruktura, pasnesër transport ndërsa përgjegjësia mbetet gjithmonë pa adresë.
Në këtë realitet, Ergys Verdho, ish drejtor i ARRSH, përmendet si një rast që ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin e pasurisë dhe transparencën e zyrtarëve të lartë publikë. Sipas dokumenteve dhe të dhënave që janë siguruar në shtetin grek, ekzistojnë dyshime për lidhje pronësore me pasuri të paluajtshme me vlerë miliona euro.
Nga dokumentacioni rezulton se këto pasuri fillimisht kanë qenë të regjistruara në emër të vëllait të tij, Andrea Verdho, ndërsa më pas ka pasur transferim të tyre, duke ngritur dyshime mbi pronësinë reale përfundimtare dhe mbi mënyrën e justifikimit të burimit financiar. Skema e përdorimit të familjarëve si pronarë formalë është një praktikë e njohur në rastet kur synohet shmangia e deklarimit real të pasurisë.
Nëse këto të dhëna konfirmohen, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që kërkon hetim institucional të menjëhershëm, a janë deklaruar këto pasuri sipas ligjit? a përputhen të ardhurat e ligjshme me vlerën e pronave? a ka pasur konflikt interesi apo fshehje pasurie? Pyetje legjitime, të cilat deri më sot mbeten pa përgjigje.
Po publikojmë dokumentacionin përkatës të pasurive me vlerë miliona euro dhe i bëjmë thirrje ILDKPKI-së dhe SPAK-ut të verifikojnë deklarimet e pasurisë, burimin e fondeve dhe çdo element që mund të përbëjë shkelje të interesit publik. Sepse në një shtet normal, drejtori nuk duhet të jetë më i pasur se institucioni që drejton.