Trump: Fatin e Maduros mund ta kenë edhe liderë të tjerë
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërmarrin edhe një ndërhyrje të dytë ushtarake ndaj Venezuelës, nëse situata do ta kërkojë. Megjithatë, ai theksoi se për momentin një veprim i tillë nuk është i nevojshëm, pas zhvillimeve të fundit në vend.
Gjatë një deklarate publike, Trump lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë dhe të ashpër për figurat politike dhe ushtarake të lidhura me regjimin e Nicolás Maduro-s, duke bërë të qartë se askush nuk është i paprekshëm.
“Ushtria amerikane mbetet në pozicion dhe Shtetet e Bashkuara ruajnë të gjitha opsionet ushtarake derisa kërkesat tona të përmbushen. Të gjithë aktorët politikë dhe ushtarakë në Venezuelë duhet ta kuptojnë qartë: ajo që i ndodhi Madurros mund t’u ndodhë edhe atyre. Dhe do të ndodhë nëse nuk veprojnë drejt, përfshirë edhe ndaj popullit të tyre,” u shpreh Trump.
Sipas presidentit amerikan, largimi i Nicolás Maduro-s përbën një pikë kthese historike për Venezuelën dhe hap rrugën drejt lirisë së qytetarëve.
“Diktatori dhe terroristi Maduro është larguar përfundimisht nga Venezuela. Populli është i lirë. Ata janë sërish të lirë. Ka kaluar shumë kohë për ta, por më në fund liria ka ardhur,” deklaroi Trump.
Ai shtoi se embargoja amerikane ndaj naftës venezueliane do të mbetet plotësisht në fuqi edhe pas kapjes së Maduro-s, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë presionin ekonomik dhe ushtarak deri në sigurimin e një tranzicioni të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Duke folur nga resorti i tij Mar-a-Lago në Florida, Trump theksoi se administrata amerikane po vlerëson hapat e mëtejshëm, ndërkohë që kompani të mëdha amerikane të energjisë pritet të investojnë miliarda dollarë në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të Venezuelës, sapo të krijohen kushtet e duhura politike.
“Është thelbësore që embargoja ndaj naftës venezueliane të mbetet në fuqi të plotë. Ushtria amerikane qëndron e vendosur në pozicion dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë të gjitha opsionet e hapura, derisa kërkesat tona të përmbushen plotësisht,” përfundoi Trump.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



