E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjermania ngre aktakuzë ndaj partnerit të Amant Josifit
Bota

Gjermania ngre aktakuzë ndaj partnerit të Amant Josifit

Prokuroria e Përgjithshme e Bambergut, në Gjermani, ka depozituar zyrtarisht aktakuzën ndaj një 50-vjeçari të identifikuar si Mikheil B., i dyshuar si drejtuesi kryesor i rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit online të njohur si “Milton Group”. Sipas autoriteteve gjermane, skema e investimeve të rreme ka shkaktuar një dëm financiar që llogaritet në rreth 230 milionë euro.

Lajmi bëhet i ditur nga media gjermane Frankenpost, e cila raporton se rrjeti ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore përmes mashtrimeve me investime digjitale, duke shfrytëzuar call center-a në disa shtete evropiane dhe jo vetëm, përfshirë edhe Shqipërinë. Vetëm në hapësirën gjermanofolëse, më shumë se 1 000 persona dyshohet se kanë rënë viktimë e kësaj skeme mashtruese.

Autoritetet gjermane kujtojnë se më 8 dhe 9 nëntor 2022, në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar me Eurojust dhe Europol, SPAK ndërhyri në Shqipëri duke bastisur gjashtë call center-a të lidhur drejtpërdrejt me “Milton Group”, operacion nga i cili u arrestuan katër persona. Hetimet zbuluan se këto call center-a ishin në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, i cili ka shërbyer më herët si këshilltar politik i Olta Xhaçkës gjatë periudhës kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas Prokurorisë së Bambergut, Mikheil B., shtetas izraelit dhe gjeorgjian, u arrestua në Armeni në gusht të vitit 2023 dhe u ekstradua në Gjermani në maj 2024. Aktualisht ai ndodhet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në Gjykatën Rajonale të Bambergut. Seanca e parë publike është caktuar për datën 15 janar dhe janë planifikuar gjithsej 12 seanca gjyqësore.

Nga viti 2014 deri në nëntor 2022, i pandehuri dyshohet se ka qenë pjesë qendrore e një grupi kriminal të strukturuar, i cili operonte call center-a në Shqipëri, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Përmes platformave fiktive të tregtimit financiar online, viktimave u premtoheshin fitime të shpejta, ndërsa fondet e investuara përfundonin pothuajse tërësisht të humbura.

Vetëm një call center në Tiranë, i cili dyshohet se drejtohej nga Mikheil B. dhe kishte rreth 600 punonjës, ka shkaktuar dëme për qindra qytetarë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra. Autoritetet gjermane theksojnë se shifra reale e dëmeve është shumë më e lartë sesa ajo e dokumentuar deri më tani, ndërsa i akuzuari dyshohet se ka përfituar personalisht rreth 29 milionë euro.

Zyra Qendrore për Kriminalitetin Kibernetik të Bavarisë e konsideron “Milton Group” si një nga rrjetet më të mëdha ndërkombëtare të mashtrimit online. Hetimet vijojnë edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë, në bashkëpunim me autoritetet e ndjekjes penale në Shqipëri, Gjeorgji dhe vende të tjera evropiane.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.