Skandali i avionëve të “Air Albania” dhe çarteri i Ramës
Skandal shtetëror në ajër
Pilotë pa licencë, mallra të rrezikshme dhe heshtje të institucioneve
Nga transporti i mallrave të rrezikshme te pilotët pa licencë dhe fluturimet hermetike të avionit çarter të kryeministrit, një zinxhir shkeljesh nën heshtjen e institucioneve…
Më 13 mars 2019, pesë muaj pas krijimit vetëm për transport udhëtarësh, kompania “Air Albania” shtoi në objektin e aktivitetit edhe transportin e mallrave, me lejen e qeverisë si ortake dhe përfaqësuese e Flamurit të Shtetit Shqiptar, por pa miratimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.
Nisur nga fakti se një nga avionët e kompanisë “Air Albania” përdorej nga kryeministri Edi Rama si çarter personal, Autoriteti i Aviacionit Civil e lejoi në heshtje transportin e mallrave, ndërsa shërbimet e policisë dhe të sigurisë nuk kontrollonin se çfarë mallrash transportonin Sinan Idrizi dhe ortakët turq me avionët e “Air Albania”.
“Pamfleti” ka publikuar raporte të SHISH-it dhe agjencive partnere të SHBA-BE-së, sipas të cilave me avionët e kompanisë me Flamur Shtetëror Shqiptar janë transportuar ilegalisht, nga Tirana drejt vendeve jo anëtare të BE-së dhe anasjelltas, mallra të rrezikshme dhe që janë objekt aktiviteti të grupeve kriminale.
Pas 5 vitesh, Autoriteti i Aviacionit Civil u detyrua nga agjencitë partnere të antimafias dhe homologët ndërkombëtarë të reagojë, duke vendosur ndalimin e kompanisë “Air Albania” për transportin e mallrave të rrezikshme.
Me Vendim nr. 113, datë 25 tetor 2024, të firmosur nga Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hema, kompania “Air Albania” u përjashtua nga aktiviteti për të transportuar mallra të rrezikshme për në Shqipëri dhe anasjelltas nga vendet anëtare dhe jo anëtare të BE-së.
Ndërkohë, Vendimi nr. 35, datë 15 prill 2024 i Autoritetit të Aviacionit Civil zbuloi skandalin se kompania “Air Albania” ka përdorur tre pilotë turq; Mojtapa Meshkin Kelk, Deniz Havzali dhe Ismail Faruk Kizila, pa licenca të vlefshme për fluturime, as nga vendet jashtë BE-së.

Kjo është bërë e lejueshme në shkelje të standardeve ndërkombëtare të certifikimit të ekuipazhit ajror dhe në shkelje të Urdhrit nr. 218 të Qeverisë Shqiptare për certifikatat e pilotëve nga vendet e tjera.
Por edhe pas vendimeve të Autoritetit të Aviacionit Civil, Sinan Idrizi dhe administratorët turq Sinan Dilek e Sinan Isik të “Air Albania” kanë vazhduar transportin e mallrave të ndaluara dhe përdorimin e pilotëve të pa certifikuar, duke shfrytëzuar lidhjen me kryeministrin Edi Rama.

Këto vendime aktualisht nuk kanë më efekt praktik, pasi kompania “Air Albania” ka falimentuar, ka ndërprerë aktivitetin dhe ndodhet nën hetim nga SPAK-u, si dhe në procese gjyqësore ndërkombëtare për mashtrim financiar me kontratat e qirave të avionëve të pasagjerëve.
Më 14 qershor 2025, “Pamfleti” publikoi një informacion të siguruar nga BKH, sipas të cilit agjentët e FBI-së pranë BKH dhe SPAK i dorëzuan Altin Dumanit një rekomandim për nisjen e hetimit mbi udhëtimet e kryeministrit Edi Rama me avionin çarter qeveritar “Ismaili”.
Hetimi u nxit për shkak të natyrës hermetike të fluturimeve pa kontroll doganor dhe policor të avionit çarter “Ismaili”, gjatë 7 viteve, me ose pa praninë e Edi Ramës, nga Tirana drejt Stambollit, Ankarasë, Dubait, Abu Dhabit, Bjellorusisë, Azerbajxhanit dhe destinacioneve të tjera jashtë BE-së dhe anasjelltas.
Objekti i hetimit, që Altin Dumani nuk e nisi dhe që prej 8 muajsh po kryhet nga FBI-ja, ka të bëjë me mallrat dhe personat që kanë udhëtuar me avionin e kryeministrit Edi Rama, pasi agjencia amerikane ka indicie për transport vlerash monetare, ari, trafiqe ndërkombëtare dhe persona në kërkim./Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



