Zbulohet data e mbledhjes për heqjen e imunitetit të Ballukut
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 28 janar 2026, në orën 12:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Në fokus të kësaj mbledhjeje do të jetë shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut.
Sipas njoftimit zyrtar, Këshilli do të vijojë shqyrtimin procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit, ministres dhe zëvendëskryeministres, përmes zëvendësimit të masës së sigurimit, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ndërkohë, Peleshi ka thirrur edhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më 19 janar 2026, në orën 11:00. Në rendin e ditës parashikohet shqyrtimi dhe miratimi i projektprogramit dhe projektkalendarit të punimeve parlamentare, si edhe kalendarit të ushtrimit të kontrollit parlamentar.
Po në datën 19 janar 2026, në orën 17:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare për hapjen zyrtare të Sesionit II të Legjislaturës XI. Seanca do të ketë rend dite procedurial dhe do të përfshijë miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme, si dhe njoftime formale, sipas rregullores parlamentare.
Gjithashtu, më 20 janar 2026, në orën 11:00, është thirrur mbledhja e Byrosë së Kuvendit, e cila do të shqyrtojë çështje me natyrë procedurale dhe organizative. Në rendin e ditës përfshihen ankesa të paraqitura nga deputetë, propozime për ndryshime në strukturën e administratës së Kuvendit, hapja e procedurave për plotësimin e vendeve të lira, si dhe informimi mbi detajimin e buxhetit të Kuvendit për vitin 2026.
Këto zhvillime shënojnë nisjen zyrtare të sesionit të ri parlamentar, i cili pritet të jetë i ngarkuar me çështje të ndjeshme politike dhe institucionale, përfshirë edhe kërkesën e SPAK për një nga figurat kyçe të qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



