E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çfarë duhet të dini? Ndryshojnë rregullat e kolaudimit të makinave
Lajme

Çfarë duhet të dini? Ndryshojnë rregullat e kolaudimit të makinave

Çdo ndryshim pronësie i një automjeti do të shoqërohet me kryerjen e një kontrolli teknik të detyrueshëm. Ky parashikim është përfshirë në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili do të hyjë në fuqi nga data 1 dhjetor 2026.

Sipas udhëzimit, autoriteti kompetent do të ketë të drejtën të kërkojë kryerjen e kontrollit teknik të mjetit, pavarësisht datës së fundit të kolaudimit, në rastet kur ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit. Një kontroll i tillë mund të kërkohet gjithashtu edhe kur automjeti ka përshkuar mbi 160 mijë kilometra.

Ndryshimet përfshijnë edhe rregulla të reja për shkëmbimin e informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare, kur është e aplikueshme, do të përdorin platformën e Komisionit Evropian për shkëmbimin e të dhënave lidhur me certifikatat e kontrollit teknik dhe leximet e odometrit mes shteteve anëtare.

Po ashtu, inspektorët e qendrave të kontrollit teknik, pronarët e mjeteve dhe ekspertët që merren me analizimin e aksidenteve rrugore do të kenë akses, kur është e mundur, në platforma të tjera elektronike të Komisionit Evropian. Përmes tyre do të mundësohet marrja e informacionit mbi historikun e aksidenteve të automjeteve dhe të dhëna të tjera që lidhen me sigurinë e komponentëve të mjeteve të përfshira në ngjarje rrugore.

Udhëzimi parashikon gjithashtu ndryshime të rëndësishme në kategorizimin e mjeteve, duke sjellë një riformatim të plotë të tij. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është përafrimi i plotë i legjislacionit shqiptar me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë rrugore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.