E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Trump ‘shuplakë’ Europës: Do t’i thoja lamtumirë NATO-s për Groenlandën
Lajme

Trump ‘shuplakë’ Europës: Do t’i thoja lamtumirë NATO-s për Groenlandën

NATO rrezikon të çahet nën peshën e akujve të Groenlandës. Donald Trump ka thyer një tjetër tabu të madhe gjeopolitike, duke pranuar hapur se është i gatshëm të sakrifikojë Aleancën Atlantike për të realizuar ambicien e tij strategjike ndaj Groenlandës.

“Do t’i thoja lamtumirë NATO-s për Groenlandën”, deklaroi Trump, duke e vënë për herë të parë publikisht Aleancën përballë një zgjedhjeje ekzistenciale: mbajtjen e SHBA-ve në NATO ose humbjen e Groenlandës.

Sipas tij, NATO pa Shtetet e Bashkuara është një strukturë e dobët dhe e pafuqishme, që nuk përbën kërcënim real për fuqitë rivale globale.
“Rusia nuk shqetësohet aspak për NATO-n, përveçse për sa na përket neve. As Kina”, u shpreh ai.

Ambiciet ekspansioniste të Trump-it drejt veriut mbeten të pandryshuara. Ai përsëriti bindjen e tij se Groenlanda do të kalojë nën kontrollin amerikan, duke deklaruar:
“Në një mënyrë apo në një tjetër, do ta kemi Groenlandën”.

Deklaratat e tij u shoqëruan me një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Europën, të cilën e akuzoi për paaftësi dhe varësi nga Uashingtoni:
“Europa duhet vërtet të rregullohet”.

Si në shumë raste të tjera, Trump përdori taktikën e presionit maksimal, duke e paraqitur aneksimin e Groenlandës si një domosdoshmëri strategjike për sigurinë globale të SHBA-ve. Ai u shpreh i bindur se mund të arrijë një marrëveshje “tregtare” me Groenlandën dhe Danimarkën, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, SHBA-të do të veprojnë.

“Nëse nuk e marrim Groenlandën, do ta marrin Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj këtë”, paralajmëroi Trump, duke shoqëruar deklaratën me ironi dhe tallje ndaj kapaciteteve mbrojtëse të Groenlandës:
“Mbrojtja e tyre përbëhet nga dy slita tërhequr nga qen”.

Këto deklarata kanë shkaktuar tronditje dhe nervozizëm të fortë në Europë dhe në vetë Groenlandën. Qeveria autonome e Nuuk-ut reagoi menjëherë, duke theksuar se nuk mund të pranojë asnjë formë kontrolli nga Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet e Groenlandës rikujtuan se territori është pjesë e Commonwealth-it danez dhe anëtare e NATO-s, duke theksuar se mbrojtja e Groenlandës duhet të realizohet përmes NATO-s dhe nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë SHBA-të.

Në përpjekje për të shmangur një përplasje të hapur, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të ulë tensionet, duke theksuar rëndësinë strategjike të Arktikut dhe rrezikun e rritjes së pranisë ruse dhe kineze në rajon.

Megjithatë, paralajmërimet më të forta erdhën nga Brukseli. Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, deklaroi se një pushtim ushtarak i Groenlandës nga SHBA-të do të shënonte fundin e NATO-s.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Friedrich Merz u përpoq të mbajë një linjë më pajtuese, duke deklaruar se Europa ndan shqetësimet amerikane për sigurinë e Groenlandës dhe se bashkëpunimi me SHBA-të është i domosdoshëm. Ai sqaroi se, për momentin, nuk ka asnjë plan për dislokim trupash europiane në Groenlandë, pavarësisht ideve të hedhura nga Britania e Madhe.

Se Arktiku është kthyer në një nga fushëbetejat kryesore të rivalitetit global, u konfirmua edhe nga reagimi i Kinës. Pekini i kërkoi Uashingtonit të mos përdorë vende të tjera si pretekst për interesa egoiste, duke theksuar se aktivitetet kineze në Arktik janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare..

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.