Rama paralajmëroi mbylljen e RTSH, reagon me urgjencë AGSH
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me shqetësim të thellë pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi Radio Televizionin Publik Shqiptar si një “dështim” dhe hodhi si opsione mbylljen, privatizimin apo partneritetin e tij.
Në një deklaratë publike, AGSH vlerëson se propozime të tilla përbëjnë masa ekstreme, të cilat rrezikojnë seriozisht pluralizmin mediatik dhe cenojnë të drejtën e publikut për informim të paanshëm.
Sipas Asociacionit, retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci konkrete për pavarësinë editoriale, bie ndesh me parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe me standardet evropiane të lirisë së medias.
AGSH thekson se RTSH nuk është thjesht një strukturë financiare apo një ndërmarrje ekonomike, por një institucion i interesit publik, i cili ka për mision garantimin e informimit të paanshëm, promovimin e kulturës, edukimit dhe aksesin e barabartë të qytetarëve në informacion.
Në deklaratë vihet në dukje se është e papranueshme që përgjegjësia për problematikat strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm vetë institucionit, duke anashkaluar rolin e ndërhyrjeve politike ndër vite. Sipas AGSH-së, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës, paqëndrueshmëria financiare dhe abuzimet nga të emëruar politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e televizionit publik.
Asociacioni ngre gjithashtu shqetësimin se refuzimi i financimit publik, i përdorur si mjet presioni politik, përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike dhe për funksionimin e saj sipas standardeve demokratike.
AGSH nënvizon se çdo reformë e RTSH-së duhet të ndërtohet përmes një dialogu të gjerë dhe gjithëpërfshirës me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e fushës së medias, duke respektuar praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
Sipas Asociacionit, opsione si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë zgjidhje ekstreme, të cilat do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën themelore të qytetarëve për informim.
Në përfundim, AGSH kujton se prej vitesh ka kërkuar reforma të thella në RTSH, të fokusuara kryesisht në mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të Drejtorit të Përgjithshëm, si dhe në një reformë të brendshme strukturore që garanton profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë.
Deklarata e Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama mbi Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), të bëra më 16 janar, ku televizioni publik u cilësua si “dështim” dhe u hodhën në tavolinë opsione ekstreme si mbyllja, privatizimi apo partneriteti.
AGSH vlerëson se retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci për pavarësinë editoriale, cenon parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe standardet evropiane për lirinë e medias.
Televizioni publik nuk është thjesht një ndërmarrje financiare, por një institucion i interesit publik që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për qytetarët.
Është e papranueshme që përgjegjësia për dështimet strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm institucionit, duke anashkaluar faktin se për vite me radhë ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës dhe paqëndrueshmëria financiare edhe përmes abuzimit të të emëruarve politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tij.
Refuzimi i financimit publik si mjet presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike.
AGSH thekson se çdo reformë e RTSH-së duhet të ndërtohet mbi dialog të gjerë me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e medias, duke respektuar praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
Opsionet si mbyllja apo privatizimi i një transmetuesi publik janë masa ekstreme që do të dëmtonin rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për informim.
Asociacioni I Gazetarëve të Shqipërisë për vite me radhë ka bërë thirrje për reforma të thella në RTSH, që lidhen kryesisht me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues e më pas me Drejtorin e Përgjithshëm, si dhe një reformë e brendshme strukturore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



