Alimehmeti ‘lë thatë’ Salianjin, shfaqet në foltoren e Berishës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar ditën e sotme turin e takimeve me mbështetësit, duke u ndalur këtë herë në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku u zhvillua një tjetër takim me strukturat dhe simpatizantët e forcës politike.
Në këtë takim ka mbajtur fjalën edhe Ilir Alimehmeti, kryetar i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili më herët është shfaqur edhe në takimin e organizuar nga Ervin Salianji në Durrës.
Gjatë fjalës së tij, Alimehmeti ka artikuluar kritika të forta ndaj qeverisë dhe politikave shtetërore, duke u ndalur te problematikat që, sipas tij, po përballin banorët e Kombinatit. Ai ngriti shqetësimin për projektet e ndërtimit në zonë, duke deklaruar se po synohet shembja e banesave ekzistuese për t’i hapur rrugë kullave shumëkatëshe, në dëm të komunitetit.
Alimehmeti foli gjithashtu për situatën e përgjithshme në vend, duke e cilësuar atë si të rënduar dhe duke bërë thirrje për angazhim qytetar dhe politik. Në këtë kontekst, ai u ndal edhe te largimi i të rinjve nga Shqipëria dhe ndikimi i krimit të organizuar në jetën publike.
Në vijim, ai ftoi mbështetësit e Partisë Demokratike të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 24 janar, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm reagimi politik dhe qytetar. Sipas tij, PD mbetet forca politike që mbron fjalën e lirë dhe këto qëndrime duhet të përkthehen në veprime konkrete.
Ai theksoi gjithashtu rolin e strukturave të partisë, duke i cilësuar ato si shtyllën kryesore të funksionimit të PD-së dhe lidhjen direkte mes qytetarëve dhe selisë qendrore.
Në fund të fjalës së tij, Ilir Alimehmeti u shpreh:
“Këtë shtet e ka kapluar e keqja. Jemi të kapur nga narkotrafiku dhe të rinjtë po largohen nga vendi, ndaj duhet të angazhohemi.
PD i ka numrat e mëdhenj, por kjo matet edhe me besimin që përcjell. Fitorja është e përbashkët, pavarësisht se mund të kemi mendime të ndryshme.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



