E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
The Sun zbulon detaje tronditëse për ekzekutimin e Ardian Nikulajt
Flash

The Sun zbulon detaje tronditëse për ekzekutimin e Ardian Nikulajt

Shuma e frikshme që u pagua

E përditshmja britanike “The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u ekzekutua më 19 prill 2023 brenda lokalit të tij në Shëngjin. Duke përshkruar pamjet filmike të krimit, media britanike e krahason momentin e vrasjes me një skenë nga filmat hollivudianë, për shkak të mënyrës së organizimit dhe ftohtësisë së autorëve.

Sipas shkrimit, për vrasjen e Nikulajt është paguar një shumë marramendëse prej 1.7 milionë paundësh, fakt që, sipas familjarëve, tregon nivelin e lartë të organizimit dhe vendosmërinë për ta eliminuar. “The Sun” thekson se motivi kryesor i krimit lidhet me hakmarrjen, të cilën e përshkruan si një kod të vjetër shqiptar, por me një element të pazakontë në këtë rast: përdorimin e një skuadre vrasëse të huaj.

Në qendër të konfliktit qëndrojnë dy familjet Nikulaj dhe Lekstakaj, një hasmëri e vjetër që ka rrënjë dekada më parë. Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar po zhvillohen procese gjyqësore për ekstradimin e shtetasve britanikë të arrestuar si bashkëpunëtorë në këtë krim.

Gazetarët e “The Sun” shkruajnë se kanë udhëtuar në Shqipëri, ku janë takuar me familjarë të Ardian Nikulajt. Ata kanë hapur atë që e quajnë “dosja e provave”, materiale që, sipas tyre, tregojnë qartë se kush qëndron pas atentatit. Familjarët shprehen se frika e hakmarrjes nuk ka përfunduar ende dhe se vëllait të viktimës i është komunikuar se pagesa prej 1.7 milionë paundësh është bërë nga persona të vendosur për ta çuar deri në fund eliminimin e tij, duke gjetur vrasës me pagesë jashtë Shqipërisë.

E veja e Ardian Nikulajt, Rudina, apelon që zinxhiri i vrasjeve të ndalet dhe kërkon ekstradimin e autorëve britanikë për t’u përballur me drejtësinë. Ndërkohë, vëllai i tij, Arbeni, rrëfen se jeton çdo ditë nën frikë. Ai i ka thënë gazetës britanike se çdo mbrëmje i puth fëmijët pa e ditur nëse do t’i shohë sërish në mëngjes, për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga hakmarrja.

Sipas “The Sun”, rrënjët e kësaj hasmërie datojnë në vitin 1997. Në atë kohë, Pëllumb Nikulaj, vëllai i Ardianit, punonte si roje në një pikë karburanti. Pas një incidenti ku një i ri u largua pa paguar karburantin, Pëllumbi shkoi të kërkonte pagesën. Disa orë më vonë, një grup prej shtatë personash të armatosur mbërriti në vendngjarje, duke vrarë Pëllumb Nikulajn dhe pronarin e biznesit. Ngjarja u pasua nga dy vrasje të tjera që përfshinë familjen Lekstakaj, si dhe një atentat ndaj një familjari tjetër të Nikulajve.

Për më shumë se dy dekada, konflikti mbeti në heshtje, deri në vitin 2023, kur u vra Ardian Nikulaj. Si autor i drejtpërdrejtë i krimit u identifikua Ruben Saraiva, i cili pas ekzekutimit u largua me motor. Autoritetet shqiptare arritën të sigurojnë ekstradimin e tij nga Maroku. Të dyshuar të tjerë në këtë çështje janë Edmond Haxhia, i dyshuar si porositës i vrasjes, si dhe tre shtetas britanikë – Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt – në role ndihmëse.

E veja e Nikulajt ka treguar për “The Sun” se sjellja e disa prej tyre kishte ngjallur dyshime edhe para krimit. Ajo përmend Harry Simpson, i cili mbante gjithmonë me vete shishen e birrës dhe filmonte ambientin me telefon, si dhe Harriet Bridgeman, e cila ishte përpjekur të afrohej me Ardian Nikulajn, madje në një rast ai i kishte kryer pagesën pasi karta e saj bankare nuk funksiononte.

Gazeta britanike citon edhe një ekspert shqiptar të krimit të organizuar, i cili deklaron se përpjekjet për eliminimin e Ardian Nikulajt kishin nisur shumë më herët. Sipas tij, askush brenda Shqipërisë nuk pranoi shumën e ofruar prej 1.7 milionë paundësh, çka çoi në kërkimin e një vrasësi jashtë vendit. Ai shton se Nikulaj kishte marrë paralajmërime, kishte shtuar masat e sigurisë, por u vra pikërisht në të vetmin vend ku lëvizte pa truproja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.